Dritan Minxolli fajëson amerikanët për barutin që shpërtheu në Gërdec
Deklarimi: Baruti ishte përgjegjësi e Patrik Henrit, kontrata ishte në emër të tij
Laureta Rryçi
Drejtori i punishtes së demontimit të municioneve në Gërdec, Dritan Minxolli, tentoi dje të përfshijë në përgjegjësi kompaninë amerikane “SAC”. Në dëshminë e dhënë në seancën e radhës në Gjykatën e Tiranës në procesin “Gërdeci”, Minxolli rrëfeu për herë të parë bisedat e fundit që kishte kryer me dy shefat e tij, amerikanin Patrik Henri dhe shqiptarin Mihal Delijorgji. Ndërkohë që, sipas tij, edhe pse Prokuroria nuk e kishte pyetur asnjëherë më parë, ai deklaronte për herë të parë se për barutin ishte i interesuar vetë amerikani Patrik Henri, bosi i kompanisë “SAC”. Sipas Minxollit, Henri kishte lidhur kontratë me Ministrinë e Mbrojtjes për marrjen e barutit.
Inspektimi
“Patrik Henri ka ardhur në Gërdec në datat 7 dhe 8 mars dhe së bashku me Rod Tejlor (që kishte rol mbikëqyrës), ka inspektuar fabrikën. Pasi është njohur me procesin e punës së fazës së parë dhe të dhënat mbi fazën e dytë, ai inspektoi të gjitha ambientet e fabrikës. Në oborr që atë ditë kishin filluar të grumbulloheshin thasët me barut”, -deklaroi Minxolli duke shpjeguar kështu interesin e madh që kishte amerikani ndaj proceseve që kryheshin në fabrikë. Më tej Minxolli e vijoi rrëfimin e tij duke thënë se ai zhvilloi dhe një bisedë me shefin Patrik Henri dhe nga ana e tij nuk kishte marrë asnjë shqetësim. Mirëpo pas asaj dite duket se askush nuk është marrë me transportin e barutit për ta larguar nga oborri i fabrikës. Sipas Minxollit, sasia e barutit do të largohej nga Patrik Henri në fund të muajit mars nëpërmjet një anijeje izraelite që ai kishte marrë me qira.
Takimi i fundit
Një ditë para tragjedisë, Dritan Minxolli deklaroi se është takuar me Mihal Delijorgjin dhe Patrik Henrin në zyrën e biznesmenit te Alb-Demil. Aty, Patrik Henri u ka kërkuar gjithë bilancet e punës nga kryerja gjatë dy proceseve të demontimit. “Ditën që u takova me dy shefat e mi, Henrin e informova mbi shpenzimet që na ishte dashur të bënim dhe përfitimet që do ta arrinim nga demontimi i armëve. Ai më foli me superlativa, nënshkroi kontratën e punës dhe gjithçka do të vijonte si më parë”, - deklaroi Minxolli. Mirëpo më 15 mars ndodhi tragjedia dhe Dritan Minxolli nuk është takuar më me shefin amerikan. “Unë jam habitur se si e ka mohuar Patrik Henri në dëshminë e tij në Zvicër faktin që ai kishte nënshkruar kontratën për fazën e dytë të procesit në fabrikën e Gërdecit. Ndërsa më pas, në letër-porosinë e prokurorisë ai ka pranuar se ishte ortak në të dyja proceset”, - përfundoi deklarimet e tij Minxolli. Minxolli ka kërkuar edhe herë të tjera në seancat gjyqësore, se përse Patrik Henri nuk ishte para përgjegjësisë njëlloj si ai dhe shefi tjetër, Mihal Delijorgj. Patrik Henri dhe pesë amerikanë të tjerë janë përfshirë në listën e dëshmitarëve që do të thirren me kërkesë të Prokurorisë. Deri atëherë nuk dihet nëse thëniet e djeshme të Minxollit qëndrojnë. Edhe pse ka zëra nga ekspertët që janë marrë me hetimin e kësaj dosjeje se amerikani Patrik Henri kishte nënkontraktuar firmën shqiptare për t’u marrë me proceset dhe për rrjedhojë përgjegjësia i mbetet firmës shqiptare.
6 Shkurt 2010