Gërdeci, dëshmitari: Zjarri u shkaktua nga karroca e salduar
Për herë të parë, në procesin e Gërdecit, një nga dëshmitarët konfirmoi dje alibinë e Prokurorisë mbi shkaktarin e zjarrit në fabrikën e Gërdecit. “Sapo karroca e salduar ka hyrë afër barutit, gjithçka ka shpërthyer. Presioni i shpërthimit na ka fluturuar disa metra mua dhe punëtorët e tjerë që ishim rreth 40 metra larg sasisë së barutit”. Kjo ishte dëshmia e Haxhi Hoxhës, një nga punëtorët në fabrikën e Gërdecit, e cila duket se do të nënvizohet mirë në procesverbalet e këtij procesi gjyqësor. Për herë të parë dëshmitari dha para trupit gjykues dhe palëve që janë në proces, një dëshmi konkrete duke sqaruar disa herë më radhë.
Dëshmia
Haxhi Hoxha, një nga ish-punonjësit e fabrikës së Gërdecit, deklaroi në Gjykatë se shpërthimi në fabrikën e demontimit në Gërdec erdhi si pasojë e saldimit të një karroce. Sipas tij, karroca është salduar nga Qemal Deliu, ndërkohë nuk kujton personin që e ka kthyer sërish në fabrikë. “Karroca mori flakë sapo ra në kontakt me barutin, në një kohë që brenda saj nuk ishte hedhur ende barut”, - tha Hoxha duke konfirmuar pistën e Prokurorisë së Gërdeci se gjithë tragjedia erdhi si pasojë e gabimit njerëzor.
Në seancë dëshmuan edhe katër dëshmitarë të tjerë, të cilët risollën edhe njëherë fakte se si ishin marrë në punë nga Minxolli, përse kishin punuar pa sigurime shoqërore dhe çfarë mbanin mend në ditën e ngjarjes. Dëshmitari Qani Aliu tregonte se në fabrikë kishte rënë zjarr dhe herë të tjera. Madje njëherë kishte ardhur dhe policia, por me ta ishte marrë vesh administratori Dritan Minxolli. Ndërsa dëshmitari tjetër, Myslim Zguri, tregoi se Minxolli, së bashku me Veiz Muçën, i mblidhnin çdo mëngjes dhe u kujtonin se duhej pasur kujdes me demontimin e predhave, pasi një pakujdesi do të shkaktonte tragjedi në atë fabrikë. Më pas dëshmitë kanë vijuar me dëshmitarët Kadri Meçi dhe Naim Cani.
Vendimi
Për shkak se një nga pikat ku palët në procesin e Gërdecit përplasen fort ka të bëjë me mënyrën se si ka shpërthyer zjarri ditën e tragjedisë, trupi gjykues mori dje një vendim të posaçëm. Sipas trupit gjykues, ditën e hënë nuk do të zhvillohet seanca në Gjykatë, por një ekspert, dy oficerë gjyqësorë dhe avokatët e të pandehurve duhet të shkojnë dhe të shikojnë vendin ku është gjendur vetëm pak ditë më parë një objekt që pretendohet se është saldatriçja që ka salduar karrocën atë ditë. Eksperti do të fotografojë vendin e ngjarjes, do të ndërtojnë një skemë mbi ngjarjen dhe më pas eksperti në betim do të flasë mbi objektin e gjetur. Saldatriçja me të cilën dyshohet se është salduar karroca ditën e ngjarjes u gjet më 8 janar 2010 nga forcat e ushtrisë gjatë pastrimit të zonës.
Në tragjedinë e Gërdecit gjetën vdekjen 26 persona, u plagosen 300 të tjerë, ndërsa akuzohen 29 persona. Tragjedia e Gërdecit po shqyrtohet e ndarë në pjesë. Gjyqi më i madh po bëhet në Shkallën e Parë me plot 29 të pandehur, shumica ish-ushtarakë dhe 3 drejtues të fabrikës së demontimit të armëve, janë të vetmit në arrest. Tragjedia e Gërdecit ishte më e rënda që ka goditur vendin tonë vitet e fundit. Vetëm 15 kilometra nga Tirana shpërtheu një fabrikë ku demontoheshin armë duke shkaktuar 26 të vdekur, mbi 300 të plagosur dhe dhjetëra banesa e biznese të shkatërruara.
6 Shkurt 2010