Gjykata e Apelit lë në fuqi dënimin për Krenar Ahmetin
Gjykata e Apelit la dje në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë duke e dënuar sërish Krenar Ahmetin me 200 mijë lekë gjobë. Ish-shefi i Qarkullit Rrugor akuzohet për kryerje të veprimeve arbitrare. Për Apelin vendimi i Shkallës së Parë nuk duhej ndryshuar, pasi është i drejtë. Ndërkohë që Prokuroria kërkoi dënimin e Ahmetit me 500 mijë lekë gjobë. Gjykata tha në vendimin e saj se i pandehuri Krenar Ahmeti, gjatë ushtrimit të detyrës si shef i Policisë Rrugore, ka kryer veprime arbitrare me tre qytetarë të ndryshëm, të cilët e kanë kallëzuar atë në Prokurori. Prokurorja Elisabeta Imeraj dhe bashkëshorti i saj, avokati Agron Bajri, kanë qenë dy nga personat, të cilët Krenar Ahmeti së bashku me punonjësit e policisë, Blenard Vathi dhe Alfons Gjoni, i kanë shoqëruar forcërisht në komisariat. Pas kryerjes së këtyre veprimeve Ahmeti u pezullua nga detyra me vendim gjykate. Para gjykatës ai është shprehur se ka kryer vetëm detyrën dhe nuk e dinte se shtetasja me të cilën debatoi ishte prokurore.
6 Shkurt 2010