E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asgjësohet municion, panik te qytetarët

Asgjësimi i municioneve luftarake "tronditin" Korçën. Tronditje të ngjashme me tërmetin janë ndier në orët e drekës së djeshme në qytet, duke vënë në panik një pjesë të madhe të banorëve. Ka qenë ora 15.30 e së premtes, kur thuajse në të gjithë qytetin e Korçës janë ndier katër lëkundje të forta e të njëpasnjëshme. Ato janë ndier si në qendër të qytetit edhe në periferi të tij, por shkaku i tyre nuk është mësuar. Banorët e Korçës janë vënë në alarm, edhe pse e kanë pasur të qartë se këto nuk kanë qenë lëkundje tërmeti. Dyshimet e para kanë ardhur për shpërthime me eksploziv në periferi të qytetit, në afërsi të ndonjë guroreje, apo edhe nga kryerja e punimeve për hapjen e zgjerimit të rrugës drejt fshatit Voskopojë. Vetëm disa orë më pas, një grup ushtarakësh që kanë ardhur nga Voskopoja, kanë sqaruar se këto lëkundje të forta, të ngjashme me ato të tërmetit, kanë ardhur si pasojë e asgjësimit të municioneve në afërsi të fshatit Voskopojë. Ushtarakët thanë se kjo ka qenë hera e fundit që ata kryen asgjësime të municioneve luftarake në një poligon të posaçëm që është ngritur rreth 15 km larg Voskopojës. Ndërkaq, mësohet se moti i vranët dhe me re të ulëta ka shkaktuar valën e lëkundjeve të forta dhe të përsëritura që janë ndier fuqishëm në Korçë. Ndërsa në Voskopojë dhe në fshatrat pranë saj këto lëkundje të forta, të ngjashme me ato të tërmetit nuk janë ndier, pasojat janë shfaqur në qytetin e Korçës, ku vala tronditëse ka ardhur për arsye të hapësirës së krijuar. Në poligonin e Voskopojës, prej afro 2 muajsh janë asgjësuar rreth 490 tonë municione luftarake të ardhura nga depot e Gramshit dhe të reparteve ushtarake të Voskopojës.

Ju.Dh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›