Grindja në futboll, shkak i vrasjes së 27-vjeçarit
Pa kaluar as 24 orë nga ekzekutimi me katër plumba i 27-vjeçarit Olsi Curri dhe plagosjes së një kalimtareje, Policia e Shkodrës ka mundur të identifikojë autorin dhe të zbardhë motivin e vrasjes. Sipas policisë lokale, autori i ngjarjes, tashmë i shpallur në kërkim, është 25-vjeçari Alfon Fusha. Shkak i atentatit ndaj të riut shkodran ka qenë një motiv banal, pas një zënke në një lojë futbolli. Mësohet se viktima dhe autori i vrasjes kanë qenë shokë me njëri-tjetrin dhe njiheshin prej kohësh, pasi banonin në të njëjtën lagje. Dy të rinjtë, së bashku me disa miq të tjerë, pasditen e së enjtes kishin vendosur të luanin futboll në një nga fushat e qytetit. Por, teksa luanin, Curri dhe Fusha kanë nisur të grinden për shkaqe banale. Në fillim kanë nisur të fyhen dhe shahen me njëri-tjetrin, e më pas grindja e tyre është bërë shkak që të ndërpritet ndeshja e futbollit që po zhvillonin. Dy protagonistët e zënkës janë ndarë nga njëri-tjetri për të vazhduar secili në punë të tij. Mësohet se pak minuta më vonë, Olsi Curri është futur në një lokal në lagjen "Skënderbeg". Autori i ngjarjes, Alfons Fusha, e ka pritur dhe teksa shoku i tij dilte nga lokali, e ka qëlluar në ecje e sipër. Katër plumbat e derdhur mbi trupin e 27-vjeçarit kanë qenë fatal[ për të dhe ai ka gjetur vdekjen e menjëhershme, pa mundur të mbërrijë në spital për ndihmë mjekësore. Ndërkaq, njëri prej plumbave ka prekur një 31-vjeçare, kliente në njërin prej dyqaneve që ndodheshin në zonë. Ndërkohë, 25-vjeçari Fusha ka mundur të largohet me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Policia, e cila ka mbërritur pak minuta pas vrasjes, ka shoqëruar për në komisariat disa dëshmitarë okularë dhe nga marrja e deponimeve, ka mundur të identifikojë autorin dhe motivet e ngjarjes. Fillimisht policia e ka pasur të vështirë të gjejë një motiv dhe autor të ngjarjes, për faktin se viktima nuk ishte person me precedentë penale dhe nuk njihej si problematik apo person me konflikte. Kjo situatë e bëri ngjarjen akoma më të mistershme, deri sa agjentët e policisë kriminale siguruan prova dhe dëshmi që vërtetonin se autor i këtij krimi është 25-vjeçari Alfons Fusha. Ndërkohë, pas identifikimit, Policia e Shkodrës është vënë në kërkim të autorit të atentatit, i cili ende nuk ka rënë në prangat e policisë. Uniformat blu kanë kryer disa kontrolle në banesa dhe vende të dyshimta, ku mendohej se mund të ishte fshehur personi i kërkuar për vrasjen e 27-vjeçarit Olsi Curri, por nuk është gjetur asnjë gjurmë prej tij. Ndërkohë, mësohet se familjarët dhe të afërmit e autorit të vrasjes janë ngujuar nga frika e ndonjë hakmarrjeje të mundshme prej të afërmit të viktimës.