Kërkoheshin për "moskallëzim krimi", prangosen dy të rinj
Ishin shpallur në kërkim për "moskallëzim krimi", prangosen dy të rinj nga rrethi i Fierit. Burime zyrtare nga policia bëjnë të ditur se janë arrestuar Ervin Saliaj dhe Andi Nazëraj, përkatësisht 25 dhe 20 vjeç, banorë të fshatit Kuman, në bazë të një vendimi të dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë. Të njëjtat burime saktësojnë se dy të rinjtë janë arrestuar në orën 22.30 të ditës së enjte në banesat e tyre në fshatin Kuman. Të njëjtat burime saktësojnë se ata kanë qenë pjesë në një grup transportuesish të lëndëve narkotike nga Shqipëria për në Greqi. Ata janë zbuluar si "ushtarë" të trafikut të drogës pas hetimit të nisur që nga dhjetori i vitit 2008. Saliaj dhe Nazëraj së bashku me tre persona të tjerë janë gjykuar për ngjarjen e ndodhur në Gjirokastër, kur u gjet një makinë me drogë. Për afro pesë muaj ata kishin mundur t‘i shpëtonin arrestimit, duke u fshehur në periferi të zonës ku banonin. Sipas burimeve nga Policia e Fierit, dy të rinjtë e kërkuar pesë muajt e fundit kanë jetuar në stanet e zonës që ndodhen disa kilometra larg Roskovecit. Më 15 korrik të këtij viti, Gjykata e Krimeve të Rënda në kryeqytet, i kishte shpallur fajtorë për veprën "moskallëzim të krimit" dhe që nga ajo periudhë dy të rinjtë ishin shpallur persona në kërkim.
Ma.Tr.
Ma.Tr.