E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maskat grabisin banesën e biznesmenëve

Rishfaqen frikshëm grabitjet me maska. Një vjedhje spektakolare është shënuar në mes të ditës dje në Sarandë. Rreth orës 11:00 të paradites së djeshme, dy persona të armatosur dhe me maska kanë grabitur banesën e një biznesmeni. Edhe pse burimet policore kanë qenë shumë të rezervuara në informacionin e tyre për mediat, është mësuar se objekt i sulmit është bërë banesa e biznesmenit të pllakave, Edmond Shalari, i cili banon në Lagjen nr. 4 të Sarandës, në një apartament në afërsi të një pike karburanti. Në katin e parë të së njëjtës ndërtesë gjendet lokali i vëllezërve "Shalari", ku tregtohen pllaka dhe materiale të tjera hidraulike e aksesorë të ndryshëm. Nga burime të besueshme mësohet se grabitësit, nën presionin e armëve dhe të mbrojtur nga maskat në fytyrë, kanë mundur të marrin 200 mijë lekë nga familjarët e ndodhur atë çast në apartamentin e biznesmenit Shalari. Vjedhja mendohet të ketë qenë e studiuar prej kohësh, pasi grabitësit kanë zgjedhur të shkojnë në orën 11:00 të ditës, kur vëllezërit gjendeshin në objekte, duke shpërndarë pllaka e aksesorë të porositur. Duke qenë në dyqan bashkëshortet e tyre, vjedhësit kanë llogaritur që në banesë të gjenin vetëm nënën e vëllezërve Shalari, ndaj së cilës mësohet se vjedhësit me maska e me armë nuk kanë kursyer edhe përdorimin e dhunës. Nga burime konfidenciale mësohet se disa orë pas ngjarjes, agjentë të policisë kriminale kanë shoqëruar disa shtetas, kontingjente policie, të cilët janë marrë në pyetje. Megjithatë, deri tani asnjë shtetas nuk është identifikuar si autor i kësaj grabitjeje të ndodhur në mes të ditës dhe madje edhe në një zonë të populluar. Në më pak se një muaj janë shënuar tre raste grabitjesh me armë, një në Konispol, një në Xarrë dhe një në Sarandë. Ndërkaq, një tjetër rast i është shtuar serialit të vjedhjeve në qytetin bregdetar. Gjatë orëve të para të ditës së djeshme është vjedhur mini-marketi i qytetarit sarandjot, Kujtim Alikaj, në Lagjen nr. 1 të Sarandës. Edhe pse nuk bëhet i ditur dëmi i shkaktuar, mësohet se vjedhja ka ndodhur me thyerje, ende pa zbardhur mëngjesi i djeshëm. Nga mini-marketi janë marrë mallrat e shtrenjta që tregtohen në të, si dhe një sasi të hollash që janë gjetur në sirtar. Ndërkohë, në të dyja rastet policia nuk ka emra konkretë autorësh, ndonëse dyshohet për persona me precedentë të mëparshëm vjedhje banesash në Lagjen nr.4. Për policinë e Sarandës, "anonime" janë akoma dhe vjedhjet më të bujshme të vitit-episodi i marrjes së regjistrave arkivorë nga kasaforta e zyrës kadastrale të Sarandës, vjedhja e materialeve të "Optica Designer", në shumën e 30 mijë eurove, si dhe dyqani i kozmetikës, në masën 20 mijë euro. Sipas regjistrimit në video, edhe këto dy vjedhje janë kryer me "teknologjinë" e maskimit dhe armëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›