Ashpërsohen dënimet, 5 vjet burg kush ushtron dhunë në familje
Tiranë- Masat e dënimit për personat që ushtrojnë dhunë në familje janë ashpërsuar në ndryshimet e bëra në Kodin Penal që priten të miratohen me konsensus në Parlament. Veçanërisht me ndryshimet e propozuara dënohet shumë ashpër dhuna ndaj fëmijëve dhe grave.
Çdo bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëshort që dhunon partnerën e tij apo fëmijët dhe personat e pambrojtur do të dënohet nga 6 muaj deri në 5 vjet burg. Kështu ka propozuar deputeti demokrat Viktor Gumi gjatë mbledhjes së Komisioni të Ligjëve çka është mbështetur edhe nga anëtarët e tjerë të Komisionit. Në ndryshimet në nenet 90 dhe 65 të Kodit Penal parashikohet tolerancë zero ndaj dhunës kundër grave shtatzëna, personave të sëmurë apo edhe fëmijëve.
“Kryerja e veprës penale është bërë me egërsi dhe mizori; Kur vepra është kryer kundër fëmijëve, grave shtatzëna ose personave që për shkaqe të ndryshme nuk mund të mbrohen. Kur vepra është kryer duke përfituar nga marrëdhëniet familjare ose të bashkëjetesës; Kur kryerja e veprës penale është shtyrë nga motive që kanë të bëjnë me gjininë, racën, fenë, kombësinë, gjuhën, bindjen politike, fetare ose sociale- shkruhet në propozimet e Gumit.
Ndërkaq sipas amendimeve të Gumit periudha e sigurisë do të parashikojë pengimin e autorit që të falet apo të lirohet nga burgu.
Periudha e sigurisë shtrihet për afatin kohor nga 2/3-at e vendimit të dhënë nga gjykata deri në kohëzgjatjen e plotë të dënimit penal. Periudha e sigurisë do të thotë në vetvete vendosje e një afati minimal dhe një afati maksimal, nga një afat kohor nga 2/3-at e vendosura nga gjykata deri në ekzekutimin e plotë të dënimit penal, brenda të cilit gjykata me vendim nuk lejon që të kryhet lirimi me kusht apo falja- shtoi deputeti demokrat.
Sipas Gumit këto ndryshime vijnë si pasojë e rritjes së kërkesave nga ana e Minsitrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale, ambasadorëve dhe shoqatave kundër dhunës në familje.
Spuntoja kryesore për këto ndryshime ka ardhur nga sugjerimet e Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale dhe një sërë organizatash të tjera vendëse dhe të huaja dhe me një letër të ambasadorëve të huaj në Shqipëri, që kërkojnë masa të posaçme penale për dhunën në familje- shtoi Gumi.
Ndërkohë tashmë pas miratimit nen për nen në Komisionin e Ligjeve pritet që Kuvendi ta miratoje me 84 vota ndryshimet në Kodin Penal.
Shkrime të tjera me interes:
- Dhuna në familje, Nishani: Politika të ashpra ndëshkuese Tiranë- Krijimi i kushtëve mbrojtëse për femrat e dhunuara, si...
- Ukrainë, dënohet Timoshenko me 7 vjet burg Një gjykatës në Ukrainë ka dënuar me 7 vjet burg...
- Rama: Berisha ushtron dhunë mbi prokurorinë, gjykata, varri i drejtësisë Tiranë- Në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, kreu i kësaj partie...