Ashpërsohet debati në PS. Asnjë palë nuk i lëshon vend tjetrës
Kongresi i Jashtëzakoshëm të Partisë Socialiste që do të mblidhet të shtunën është paraprirë nga një atmosferë konfliktuale mes dy grupeve që tashmë njihen pro "Rama" dhe pro "Blushi". I thirrur pas vendimit të Asamblesë Kombëtare Socialiste më 28 korrik, Kongresi pritet të miratojë rezolutën e AK-së për qëndrimin e PS-së për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, ndërkohë që si pikë e dytë e rendit të ditës është përfshirë zbatimi i dy neneve të statutit që kanë të bëjnë me mungesën e mandatit të kryetarit aktual dhe administrimin e kandidaturave e platformave për kryetarin e ri. Mungesa e konsensusit mes dy kampeve: atij të kryetarit në detyrë Edi Rama e përkrahësve të tij dhe grupit kundërshtar të drejtuar nga Ben Blushi, Arben Malaj etj u shfaqën më ashpër në mbledhjen e djeshme të kryesisë. Përballja e qëndrimeve të dy kaheve kundërshtarë u finalizua me rrëzimin e paketës së ndryshimeve statutore të propozuara nga deputeti Blushi. Ky i fundit , i cili deri dje përflitej në media si një kandidat i mundshëm për postin e kryetarit të PS-së, pas këtij vendimi u shpreh i vendosur për të mos konkurruar në garën për kreun e partisë. "Kryesia i mohoi Kongresit ndryshimet statutore. Mesa duket po i kthehemi teknologjisë së Partisë së Punës", iu tha Blushi gazetarëve pas mbledhjes së djeshme. Ndërsa përgatitjet për Kongresin që do të mbahet të shtunën janë drejt fundit, kandidatët e vetëshpallur tashmë publikisht në media për postin e kryetarit janë Edi Rama dhe Arben Malaj. Sipas statutit të PS-së, kryetarit të partisë i ndërpritet mandati ndër të tjera edhe në rastin kur humbet zgjedhjet e përgjithshme. “Mandati i Kryetarit të Partisë është 4 vjet. Mandati i tij ndërpritet para kohe, kur jep dorëheqjen; partia humbet në zgjedhjet e përgjithshme legjislative; humbet në mocionin e mosbesimit të zhvilluar për të me kërkesën e 1/3 së anëtarëve të partisë", thuhet në nenin 28 të statutit të PS-së. Të 1500 delegatët e Kongresit do të miratojnë qëndrimin e mëtejshëm politik të PS-së lidhur me zgjedhjet e 28 qershorit si dhe çështjen e kryetarit të ri. Në Kongres pritet të zyrtarizohen kandidatët për kryetarin e partisë dhe njëkohësisht të vendoset data e zgjedhjeve, përmes të cilave anëtarësia do të zgjedhë kryetarin e ri. Nga ana tjetër grupi i anëtarëve të kryesisë socialiste, kritikë ndaj vijës së ndjekur nga kryetari në detyrë Rama, do të tentojnë të fusin për shqyrtim paketën me ndryshime statutore, të propozuar nga Blushi. Nga 1500 delegatët, 1000 prej tyre janë të zgjedhur drejtpërsëdrejti nga anëtarësia e PSSH-së në të gjithë territorin e vendit. Të gjitha komunat dhe bashkitë do të kenë delegatët përkatës. Rreth 90% e tyre janë me arsim të lartë, sipas normës statutore, 30% e të gjithë delegatëve janë gra dhe vajza, (ose rreth 350 e tyre), ndërsa të rinjtë do të përbëjnë rreth 40% të delegatëve të PS-së.
...