Performanca e Berishës në temën e Bashkimit Kombëtar po nxjerr gafil fushatat kundër “patriotizmit folklorist”
Te “Ku është populli” është një replikë habitore “allahile, a hala, patriot-a”? Pas performancës së shkëlqyeshme të Sali Berishës në “temën” e bashkimit kombëtar, një miniaturë-provenience, përkrahjen e madhe të opinionit që pati Sali Berisha në Kosovë, e kualifikuan si punë “patrioti”, “folkloristi”, si punë “kotësie”, si “marrëzi”, “prapambeturi” ideore ose botëkuptimore “e tejkaluar”, e “shekullit 20”, etj.
Janë disa etapa “në kalendarin politik” të Kosovës, kur fjala -patriot- është satirizuar negativisht, i është ndajmbathur pezhorativi ironizues cinik deri në pikë të fundit, duke i dhënë konotacion të fjalës “tradhtar”. Sot edhe ndër ushtarë të UÇK-së kanë zbuluar “folkloristë patriotë” ndaj i kanë lënë rrugëve pa punë, derisa në administratën e Kosovës punojnë 90% e strukturave që kanë punuar në administratën e Serbisë (para lufte) ose që e kanë ose nënën ose babën serb ose kanë qenë kumbarë të ndryshëm të serbëve, ose zhbirues të tyre. Patriotizmi si herezi e “të prapambeturve” që nuk qenkan “në hap” me aktualitetin, ma përkujton kohën e burgosjeve masive të njerëzve që “Serbia i kishte paguar ta përmbysin shtetin e Serbisë në Kosovë”. Sipas tyre, Serbia i paska detyruar -patriotët- që ta ngrenë flamurin kombëtar, të bënin demonstrata për t’ia prishur rehatinë “bashkim vëllazërimit”, etj. etj (Kujtoni kohën e diferencimeve)! Kishte etapa kur të privilegjuarit e çdo sistemi bënin hajgare “allahile, a hala patriot-a”?! duke i përqeshur ata që vuanin burgje ose në lirinë e uritur? Kjo e njëjta klaviaturë pezhorative u paraqit këtyre ditëve me të njëjtin tonalitet ironizues, menjëherë pas performancës së Sali Berishës për mundësinë e një bashkimi kombëtar.
Aktualizimi veç si temë politike (jozyrtare shtetërore) mbi bashkimin kombëtar, sipas tyre, qenka ide armiqësore, sepse bash tash kur Gjyqi Ndërkombëtar (i) “Drejtësisë” do ta gjykojë pavarësinë e Kosovës, dhe bash tash, -patriotët- po ia bëjnë me dije GJND-së se Kosova e ka syrin tjetërkund, të bashkimi kombëtar, e jo e shteti “multietnik”. Thuajse është kah e pyet kush Kosovën çka po do! Pra, sipas tyre, përsëri “patriotët folkloristë” si gjatë 50 vjetëve, edhe njëherë u ngritën kundër interesave të popullit, edhe kur popullin nuk e quajnë më shqiptar, por disi ndryshe. Pra kundër cilit popull? Ku është populli i tyre? Si e ka emrin ai popull? Që e kanë fjalën për popullin shqiptar, shqiptarët e Kosovës me Kushtetutë (me verdikt) janë deklaruar për një shtet multietnik? A po e shkel Kushtetutën populli shqiptar i Kosovës, apo ata që e importuan shtetin multietnik?! Sali Berisha nuk thotë gjë tjetër, thotë “respektoj vullnetin e popullit të Kosovës që është përcaktuar për një shtet si ky sot, shteti kushtetues i Kosovës”! Jo Sali Berisha, por deri sot nuk është ngritur asnjë shqiptar i vetëm kundër shtetit të pavarur të Kosovës, por kundër shtetit të Kosovës janë ngritur pikërisht OKB-ja, Serbia, BE-ja, misionet e saj në Kosovë, që nuk e pranojnë shtetin e Kosovës. Shtetin e Kosovës nuk e pranojnë të tjerët, kurse kuislingët “kosovarë” gënjejnë se “patriotët” (në thonjëza) nuk po e pranojnë shtet multietnik, por po dashkan shtet nacional, demek tradhtarët. Përsëris: asnjë shqiptar deri sot nuk e ka mohuar shtetin pikërisht multietnik të Kosovës, e as Sali Berisha! Nëse nuk na e pranojnë pavarësinë pa e shkelur Kushtetutën si po e shkelin sot, atëherë po, nuk ka rrugëdalje tjetër pos bashkimit kombëtar.
Kur BE-ja nuk e pranon shtetin multietnik, a duhet populli ta ketë një Sali Berishë që ngrihet dhe jep solucione të tjera? Pikë: Evropa nuk e do Kosovën shtet! As multietnik, as nacional, se qenka ide e shek. 20!!! Pra u dashka që edhe Sali Berisha (dhe komplet klasa politike shqiptare) të mos kërkojnë as shtet kombëtar (se s’do Evropa), as shtet si ky i Kushtetutës së Ahtisarit që e respekton Berisha (por as këtë s’po e do Evropa). U dashka të pritet gjykimin e pavarësisë në GJND e cila i blen kohë Serbisë, derisa Serbia po realizon kolonizimin tipik konkret, dhe ka bërë okupim klasik të një të tretës së territorit të Kosovës. Këtyre kuislingëve të shek. 21 nuk u bëhet vonë, sepse janë bërë milionerë, kurse “patriotëve” “primitivë” si Sali Berisha nuk po u pritet! Po i çojnë ujë në mulli armikut, duke i dhënë argumente DNGJ-së (së OKB-së)!!!
Karikimi i figurave supreme kombëtare nga spiunët e okupatorëve bëhet që 50 vjet. Pas rënies së Diktaturës, u riaktivizua (edhe) partia e Ballit Kombëtar. Një vajze të re (17-vjeçare) në Tiranë, rastësish në një dasmë, iu prezantua një ballist i ri, dhe vajza u shqep së qeshuri, se para syve të saj u reinkarnua fytyra karikaturiste e “ballistit” Sali Protopapa në “I teti në bronz”. Qëkur e kur qeshin edhe me fjalën patriot, këta të sotmit si edhe dje!
Këta kuislingët e sotëm janë po ata të djeshmit. Në cilën fytyrë atdhetari kanë mbetur pa hedhur baltë, duke i quajtur cinikisht “patriotë”. Varësisht qëndrimeve politike (kinse djathtas - kinse majtas) janë ndërtuar muret e kontradiktave ideologjike. Por kurrë nuk ka qenë çështje ideologjia, por ndarja e qytetarëve në 10% që përkrahin çdo sistem, dhe 90% që refuzojnë çdo lloj administrimi të huaj, si dhe refuzojnë kuislingët shqiptarë shërbëtorë të sistemeve “ndërkombëtare”. Këtë punë e ka ditur mirë UNMIK-u. Prandaj i ka rikthyer në skenë ata që ikën pas luftës të frikuar se do t’i vrasë UÇK-ja. Dhe po këta e kanë pezhorativizuar fjala “patriot”. Qeshin me cinizëm: allahile, a hala patriot-a?!! Tash nuk kemi nevojë për liderë (thonë: kaloi koha e liderit, nuk e do politika moderne), sot nuk paskemi nevojë për armatë, se e paskemi NATO-n, ndryshe nga ata që e kanë edhe NATO-n edhe armatën e tyre, edhe liderët e tyre!
Nëse dikush kërkon bashkim kombëtar kur ty zotëri s’ta merr mendja (se s’qenka koha para DNGJ-së) mos e pezhorativizo me -patriot- një tjetër që nuk pranon shtetin e tij ta “mbrojë” policia, administrata dhe armata e huaj. Nëse ti ke të drejtë që kujton se Kosova është çliruar, pse nuk paska të drejtë ndonjë tjetër që kujton se Kosova nuk është çliruar! Për shqiptarë të tillë që pajtohen me okupatorët çlirimtarë, 500 vjet njëherë dhe 100 vjet më pastaj “nuk ka qenë koha e duhur” për bashkim kombëtar.
...