E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Asht’e xanun”

Skënder Minxhozi 

Kjo frazë në dialektin gegë ndodhet e shkruar në hyrje të një qyteti verior, mbi murin e një godine të vjetër të kohës së komunizmit. Autori i saj duket se nuk e ka pasur shumë shqetësim drejtshkrimin, kur ka shpejtuar të kumtojë publikisht se ajo pronë tashmë është e zënë, e privatizuar një herë e mirë. Diçka që të kujton këtë fjali të shkruar shkel e shko, po na kujton prej kohësh mënyra sesi po e trajton Kuvendin e Shqipërisë kryetarja e tij Jozefina Topalli. "Spikerja", siç kërkojnë t'ia kujtojnë këto ditë përfaqësuesit e opozitës emërtimin e postit që mban, ka kohë që është kthyer në fakt në një pronare të vetëshpallur të parlamentit dhe të gjithçkaje që ai mban brenda: rregullore, njerëz, seanca dhe ligje që miratohen. Nuk është e vështirë të dallosh se stili posesiv me të cilin Topalli po drejton legjislaturën aktuale të Kuvendit, nuk e rreshton atë ndër drejtuesit më tolerantë dhe dialogues të historisë njëzetvjeçare të parlamentit pluralist.
Zonja Topalli është një grua e fortë. Ajo ka investuar gjatë dhe me ngulm në karrierën e vet politike. Pozicioni që mban sot s'mund të veçse të jetë një përmbushje optimale e rrugës së saj në politikë dhe një sfidë ku shumëkush para saj ka dështuar. Por Topalli nuk ka pse e shtrin këtë ndjenjë përkoreje politike, përtej çdo limiti të imagjinueshëm politik dhe komunikues. Pasi kreu i Kuvendit duhet të dijë jo vetëm të bëjë politikë, por mbi të gjitha edhe të komunikojë. Kush e ndjek rregullisht parlamentin, sheh sesi kryetarja e tij përdor disa metra gjykimi dhe trajtimi. Reaguese dhe polemiste ekstreme, deri edhe fyese, në raste të caktuara, ajo e bën njërin apo edhe të dy veshët e shurdhër, kur është fjala për të anashkaluar një shkelje procedurash apo edhe më keq, ligji. Topalli është sot një kryetare parlamenti tërësisht e anuar nga e djathta, tërësisht tendencioze dhe partizane në mënyrën sesi e drejton shtëpinë më të madhe të politikës shqiptare. Në atë poltron kanë qenë ulur para saj mjaft burra me tesera partiake shumë të lexueshme në xhep dhe në gjoks. Por është e vështirë (e ky nuk është asfare një vështrim maskilist), që të gjesh një drejtues që ta kërkojë kaq shumë ngjyrën e tij politike në sallë, që ta mbrojë atë kaq hapur e pse jo në disa raste, edhe kaq trashë e pa elegancë,  para syve të miletit shqiptar.
Tre vjet nuk janë shumë, por janë mjaftueshëm për të kuptuar se Parlamenti i Shqipërisë është një institucion ku maxhoranca nuk imponohet vetëm me votë, por edhe me tonin e rëndë e sundues të kreut të tij. Sjellja e Topallit përballë kërkesave të përsëritura të drejtësisë për heqjen e imunitetit të Mediut, është njëri ndër aktet e pastra të përdorimit të shëmtuar të një organi të lartë kushtetues, i cili duhet të ishte garanti dhe jo shkelësi i ligjit dhe drejtësisë në vend. Nuk është e vështirë të imagjinohet me sytë e mendjes se çdo të kishte bërë zonja kryetare e parlamentit nga bankat e opozitës, nëse do të ishte fjala për t'i hequr imunitetin ndonjë homologu të mëparshëm socialist të zotit Mediu. Natyrisht, ekstremizmi gjenetik i zonjës kryetare vetëm sa do kishte ndryshuar polin magnetik! Nga ana tjetër, dëshira e saj për të hyrë me çdo kusht në një konflikt me presidentin, për votimin e kandidaturave për Gjykatën e Lartë, të bën të mendosh se kreu i parlamentit nuk po përdoret kundër dëshirës së tij nga kryeministri. Ai, ajo në fakt, po përdoret "me dëshirën" e saj në këtë histori aspak të hijshme, e kjo ka lidhje me natyrën politike të Jozefina Topallit, natyrë që e kërkon konfliktin, si nevojë protagonizmi, imponimi dhe denigrimi të atij që ka përballë.
Nuk është e rastit që kryetarja aktuale është e vetmja drejtuese e parlamentit që nga viti 1990, që bëhet gati të presë mocionin e tretë për shkarkim. Nuk është e rastit as që ajo ka sot një numër aspak indiferente kundërshtarësh të hapur brenda krahut të saj politik, duke filluar me Ngjelën, Bakallin e Mustafajn, deputetët e PDK e ata të PBDNJ, pa folur për masën gri të atyre që sot heshtin, por që nesër para një kutie votimi, mund të dalin hapur kundër saj. Më shumë se kushdo tjetër në postin e saj, Jozefina Topalli po e ushqen Kuvendin e Shqipërinë me obstruksionizmin e saj karakteristik, me dëshirën konstante për t'i shtuar linjës edhe ashtu të ashpër të kryeministrit, diçka nga ekstremizmi që ajo nuk mundohet aspak ta fshehë. Ajo po bën gjithçka sot, që nesër të kujtohet si një kryetare idhnake dhe aspak në linjë me atë që sot po na thonë se duhet të jetë "Shqipëria në NATO".  Prandaj edhe shprehja "simpati për Topallin" (kupto, keqardhje për Topallin) që e përdorte Eduart Zaloshnja në një shkrim të para disa ditëve në këtë gazetë, duket kaq e qëlluar dhe e gjetur. Kryetarja e Kuvendit duhet simpatizuar vërtet. Jo në shqip, por në anglisht. Sepse ajo e ka "xanun", më shumë sesa e ka merituar, postin që mban sot e gjithë ditën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›