E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionistët, 32 për qind pinë alkool çdo ditë

Pensionistët shqiptarë duket se e kanë goxha qejf alkoolin. Të paktën këtë dëshmon studimi i kryer nga mjekët e shërbimit të gastro-hepatologjisë. 

Sipas këtij studimi rezulton se, plot 32 për qind e pensionistëve konsumojnë alkool çdo ditë, 60 për qind e tyre janë konsumatorë të lehtë të alkoolit, ndërsa 8% e tyre pinë alkool me tepri. Pasojat, sëmundje të rënda të mëlçisë dhe të stomakut. Duke marrë në konsideratë pragun e rrezikut, shfaqja e sëmundjes së mëlçisë nga alkooli është llogaritur mesatarisht nga 20 deri në 40 për qind. Konsumuesit e rëndë dhe shumë të rëndë të alkoolit, sipas mjekëve, rriskojnë edhe më shumë duke arritur madje, deri në shfaqjen e cirozës së mëlçisë. Por sikur konsumi i alkoolit të ishte një problem vetëm i pensionistëve, situata nuk do të ishte kaq alarmante. Alkooli po kthehet në një kërcënim serioz në vendin tonë. Rreth 20% e popullatës janë konsumatorë të rëndë të alkoolit. Këto të dhëna raportohen edhe nga Ministria e Shëndetësisë, por të njëjta janë edhe rezultatet e studimit të kryera nga bluzat e bardha të mjekësisë interne. Qëllimi i këtij studimi është pikërisht mbledhja e të dhënave mbi shpeshtinë e konsumit të alkoolit dhe kategoritë që e përdorin më shumë atë. Janë anketuar rreth 4500 persona, prej të cilëve adoleshentë, persona të papunë me moshë mesatare të re, të punësuar si dhe të moshuarit. Nga të dhënat rreth 78 për qind e adoleshentëve nga mosha 14-17 vjeç  konsiderohen konsumues të lehtë të alkoolit. Ndërkaq, rreth 26 për qind e qytetarëve të punësuar konsumojnë alkool çdo ditë. Ata konsumojnë këto substanca të dëmshme më shumë se personat e papunë. Shqipëria është aktualisht një vend ku përdorimi i pijeve alkoolike me përqindje të larta të etanolit është mjaft i përhapur, duke çuar në rritjen e konsiderueshme të rasteve me sëmundje të mëlçisë pasojë e alkoolit", thuhet në studim. Pragu i riskut të zhvillimit të sëmundjes së mëlçisë ndodh atëherë kur merret më shumë se 30 gramë metanol brenda një dite. Këtë substancë e përmbajnë të gjitha këto pije.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›