Ashton: Brenda dy javësh, BE delegacion në Kosovë për procesin e liberalizimit të vizave
Përfaqësuesja e lartë e BE për politikë të jashtme dhe siguri, Katherine Ashton, siguroi Kosovën se të gjitha vendet anëtare të BE edhe ato që nuk e kanë njohur pavarësinë do të mbështesin në rrugën drejt BE. Pas takimeve që zhvilloi me kryeministrin Hashim Thaçi dhe udhëheqësit e misioneve civile ndërkombëtare në Kosovë, Ashton inkurajoi vendet e
rajonit të kultivojnë dialogun dhe bashkëpunimin rajonal, si pjesë e politikave që e shpien Ballkanin kah BE. Pavarësisht faktit se 5 nga 27 vende të BE-së nuk e njohin ende shtetin e Kosovës, Ashton ka thënë se ka një pajtueshmëri të plotë se Kosova dhe rajoni kanë perspektivë evropiane dhe paraqesin prioritet në agjendën politike të BE-së. Ajo që Bashkimi Evropian është absolutisht i bashkuar 100 për qind, është se e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian, ka thënë Ashton, duke rikujtuar përkrahjen që Brukseli i ofron Kosovës në fushën e sundimit të ligjit përmes misionit të EULEX dhe investimeve të vazhdueshme për zhvillimin ekonomik të saj, para se të bëhet anëtare e BE. Ajo theksoi se BE pranon se Kosova duhet të ecë përpara me procesin e liberalizmit të vizave. Ne duhet të gjejmë rrugë pragmatike për bashkëpunim rajonal dhe besojë, se tashmë kemi filluar bisedimet se si ta gjejmë këtë rrugë për të ecur përpara. Ne do ta ofrojmë mbështetjen tonë. Ne e pranojmë se Kosova duhet të ecë përpara me procesin e liberalizimit të vizave dhe javët e ardhshme në Kosovë do të vijë një ekip ekspertësh nga BE-ja, për tu shpjeguar autoriteteve kosovare disa kushte që duhen plotësuar, u shpreh Ashton. Kryediplomatja evropiane ka theksuar se gjatë këtij raundi diplomatik në rajon, i ka inkurajuar qeveritë e këtyre vendeve që të kultivojnë dialogun ndër-rajonal, duke ofruar edhe mbështetjen e BE për këtë qëllim. Ne duhet ta gjejmë atë që do ta quaja, një bashkëpunim pragmatik rajonal. Besoj se kemi filluar dialogun se si ta nisim këtë çështje, ka theksuar kryediplomatja Ashton. Në planin e brendshëm, ajo ka kërkuar nga kryeministri dhe qeveria e Kosovës që të vazhdojnë bashkëpunimin me EULEX dhe ti përkushtohen zhvillimit ekonomik në mënyrë që të sigurohen edhe investimet nga jashtë.
Thaçi: Kosova e gatshme të bashkëpunojë me Serbinë për procesin e integrimit
Ndërkohë, kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se Kosova angazhohet për bashkëpunim rajonal dhe është e gatshme që, si dy shtete të barabarta, të bashkëpunojë edhe me Serbinë, në kuadër të procesit të integrimit të rajonit në strukturat euroatlantike. Thaçi ka kërkuar nga Ashton që Bashkimi Evropian të zbatojë politika të njëjta integruese edhe për Kosovën, si dhe ka kërkuar udhërrëfyesin për vizat, përderisa është zotuar se Kosova do ti përmbushë të gjitha obligimet që dalin nga procesi i integrimeve. Kërkohet trajtim adekuat dhe i barabartë me vendet tjera të rajonit për integrim në Bashkimin Evropian. Ky proces do të jetë dinamik, aktiv dhe ne do të vazhdojmë ti kryejmë të gjitha përgjegjësitë, qoftë në nivelin qendror, apo në atë lokal. Së shpejti presim edhe udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, është shprehur Thaçi. Ndërkaq, përfaqësuesja e lartë e BE, Ashton i ka konfirmuar kryeministrit Thaçi, se Bashkimi Evropian, brenda dy javësh do ta dërgojë në Kosovë një delegacion, i cili do të bisedojë për procesin e liberalizimit të vizave.