E Diel, 1 Nëntor 2026

Ashton: Situata në Shqipëri? Më vjen keq, nuk flas dot

Ministrat e BE-së

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian, Katerin Ashton, shmangi dje një prononcim për situatën politike në Shqipëri. Ajo dha një konferencë të posaçme për shtyp pas takimit që mbajtën ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian. E pyetur nga gazetarët shqiptarë në Bruksel në lidhje me krizën politike dhe kompromisin e munguar mes pozitës dhe opozitës, Ashton tha se “më vjen keq por nuk po zbres të diskutoj për Shqipërinë në këtë pikë, pasi ka çështje të tjera që duhet të merremi në lidhje me këtë. Kështu që, të vazhdojmë me konferencën me një pyetje tjetër, ju lutem”. Më tej Ashton iu drejtua gazetarëve për të marrë pyetje të tjera që kishin të bënin me rendin e ditës, pavarësisht se pyetja e gazetares shqiptare ishte njoftuar si e fundit për këtë konferencë shtypi. Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian në takimin e djeshëm kanë dënuar përdorimin e dokumenteve të falsifikuara të qytetarëve të unionit në vrasjen e militantit të Hamasit, Mahmud al-Mabuh në Dubai janarin e kaluar. “Bashkimi Europian dënon ashpër përdorimin e pasaportave të falsifikuara europiane dhe kartave të kreditit, përmes vjedhjes së identitetit të qytetarëve europianë, për anëtarët e skuadrës së përfshirë në vrasje”, thuhet në deklaratën e Brukselit zyrtar. Deklarata nuk e përmend drejtpërdrejt Izraelin. Dyshohet se agjencia izraelite e zbulimit, Mosad, fshihet pas vrasjes së Al-Mabuhit Mosadi që është akuzuar për falsifikim të pasaportave britanike, irlandeze, franceze dhe gjermane, në mënyrë që vrasësit të hynin në Dubai me identitete të rreme. Një tjetër temë e diskutimit midis ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian kishte të bënte me çështjen e Haitit dhe rolin ndihmës të unionit. Presidenti i Haitit, Rene Preval, deklaroi dje se bilanci përfundimtar i viktimave nga tërmeti shkatërrimtar i 12 janarit mund të shkojë në 300 mijë. Preval ka thënë se deri tani, janë gjetur më shumë se 200.000 të vdekur, por shtoi se shifra mund të shkojë në 300.000 kur të nxirren të gjitha kufomat nga rrënojat. Qeveria e Haitit ka vlerësuar se numri i mundshëm i viktimave mund të shkojë nga 170.000 deri 230.000. Sipas vlerësimeve të Bankës Interamerikane për Zhvillim, rindërtimi i vendit të goditur nga tërmeti, ku vetëm në kryeqytetin Port-o-Prens u shembën 250 mijë shtëpi ndërsa 1.5 milionë njerëz mbetën pa kulm mbi kokë, mund të kushtojë 14 miliardë dollarë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›