Ashton e Fyle apel njëzëri: Plotësoni KQZ-në. 23 qershori, test vendimtar
Bruksel- Kur kanë mbetur vetëm gjashtë ditë nga mbajtja e zgjedhjeve për të përcaktuar qeverinë e re që do të udhëheqë vendin katër vitet e ardhshme dhe mes thirrjeve të njëpasnjëshme të ndërkombëtarëve për një proces të rregullt transparent e me standarte, komisioneri për zgjerim në BE, Stefan Fyle dhe Baronesha Catherine Ashton kanë dalë në një deklaratë të përbashkët për shtyp duke kërkuar plotësimin e Komsionit Qendror të Zgjedhjeve me shtatë anëtarë.
Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri më 23 qershor, paraqesin një test thelbësor për institucionet demokratike të vendit dhe progresin drejt Bashkimit Europian.
Ne vazhdojmë të monitorojmë nga afër përgatitjet e zgjedhjeve, duke theksuar nevojën që ato të mbahen në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe evropiane dhe inkurajojmë ndjekjen e shpejtë të gjetjeve të Raportit të Përkohshëm të Zyrës së OSBE për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut. Në këtë kontekst, është thelbësore që liderët politikë të gjejnë një mënyrë të pranueshme nga të gjithë për të bërë plotësisht funksional Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Ne kujtojmë se është përgjegjësi e përbashkët e të gjithë liderëve dhe partive politike shqiptare që të forcojnë besimin e publikut në procesin zgjedhor si dhe të krijojnë kushtet që rezultati zgjedhor të jetë i pranueshëm nga të gjithë, thuhet në deklaratë