E Diel, 1 Nëntor 2026

Ashton fton Serbinë të bëjë edhe një përpjekje për marrëveshjen

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, ka deklaruar se shpreh keqardhje për vendimin e qeverisë serbe që të hedhë poshtë propozimet e ofruara në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve me Kosovën.

Ajo i ka bërë thirrje edhe një herë kësaj qeverie, që të bëjë edhe një përpjekje të fundit për të arritur marrëveshjen, në të mirë të qytetarëve.

Duke rikujtuar takimet që ka zhvillluar në gjashtë muajt e fundit me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologun e tij serb, Ivica Daçiq, baronesha Ashton ka thënë se “të gjitha elementet për një marrëveshje mbi veriun e Kosovës janë në tavolinë”.

Nëpërmjet një komunikate për shtyp, Ashton citohet të ketë thënë se “marrëveshja duhet të jetë e arritur midis dy palëve, nuk i takon Bashkimit Evropian ta imponojë atë”.

“Unë besoj në një të ardhme të ndritur për Serbinë dhe Kosovën dhe e di se, sado i vështirë të ketë qenë ky sukses, ai ka hapur mundësië për qytetarët – veçanërisht në veriun e Kosovës – të kenë një jetë më të mirë”.

“Shpresoj se Kosova dhe Serbia nuk do ta humbin këtë shans, për ta lënë të kaluarën prapa tyre dhe për të lëvizur përpara drejt së ardhmes”, ka thënë baronesha Ashton.

Ajo shpreson se do të zhvillojë diskutime brenda BE-së në ditët e ardhshme, në mbështetje të, siç ka thënë, një hapi të vërtetë përpara për Serbinë dhe Kosovën drejt së ardhmes së tyre evropiane. 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›