Kusari-Lila në BBC: Kosova gjithmonë ka qenë pro zgjidhjes paqësore

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Mimoza Kusari-Lila, ka dhënë intervistë për emisionin e njohur botëror të BBC-së, “Hard Talk” të Stephen Sackur në BBC. Ajo ka thënë se populli i Serbisë duhet ta kuptojë që pavarësia e Kosovës është njohur ndërkombëtarisht dhe se normalizimi i marrëdhënieve duhet të ndodhë nëpërmjet dialogut. Kusari – Lila ka insistuar se të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel janë sipas planit të Ahtisaarit, transmeton KTV.
Sipas saj, Kosova gjithmonë ka qenë pro zgjidhjes paqësore dhe gjithmonë ka qenë konstruktive. Ministrja ka thënë se të gjithë banorët e Kosovës, pa dallim feje dhe etnie, janë pjesë e institucioneve të Republikës së Kosovës.
Duke folur për veriun e vendit, ministrja Kusari-Lila, ka thënë se që nga intervenimi i NATO-s më 1999, qytetarët e Kosovës nuk kanë pasur qasje në veri të vendit. Kusari-Lila ka thënë se Serbia duhet të flasë me serbët, të cilët jetojnë në Kosovë që të pajtohen dhe të jetojnë jetën me ligjet e një shteti normal dhe të nisin të jetojnë një jetë normale.
Zëvendëskryeministrja Kusari-Lila, ka thënë se korrupsioni ende mbetet problem serioz në Kosovë, duke se thënë se kjo dukuri po luftohet çdo ditë./Indeksonline/