E Diel, 1 Nëntor 2026

Nxënësit Aktivë: PDK dhe LDK po politizojnë shkollat e mesme në Prishtinë

Këshilli i Nxënësve Aktivë ka reaguar lidhur me skandalin e qarkullimit të formularëve për anëtarësim në Partinë Demokratike të Kosovës në gjimnazin “Sami Frashëri”.

Por në deklaratën e lëshuar të këtyre nxënësve, nuk bëhet fajtore vetëm PDK-ja për politizim të nxënësve por edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila sipas tyre ka mbajtur tubime me nxënës përmes drejtuesit të forumit rinor të kësaj partie, Armend Ibrahimi.

“Njësoj si PDK-ja edhe LDK-ja njihet si parti e cila manipulonë shkollat e mesme të Prishtinës.
Armend Ibrahimi ka të drejtë të mbaj takime “paraelektorale” me nxënësit e shkollave të mesme, brenda institucioneve shkollore. LDK-ja ka ndikim të madh edhe tek përzgjedhja e profesorëve të shkollave të mesme, ku pothuajse të gjithë janë anëtarë të këtij subjekti”, thuhet në këtë komunikatë.

Sipas tyre, fushata paraelektorale tashmë ka filluar në Prishtinë. “Kjo më së miri vërehet me anë të manipulimit të nxënësve të shkollave të mesme, përkatësisht nxënësve të gjimnazit “Sami Frashëri”, ku anëtarja e partisë në pushtet njëkohësisht edhe nxënësja e gjimnazit Donika Gashi kishte futur brenda objektit të shkollës anëtarësimet të kësaj partie gjë e cila është e ndaluar me rregullore të shkollës”, thuhet në këtë komunikatë.

Ata kanë reaguar edhe kundër degradimit të sistemit arsimor.

“Ne kërkojmë që nxënësit të kenë të drejtën për arsime pa pagës, ashtu siç ua garanton çdo e drejtë ndërkombëtare, ne kërkojmë që të përfundojë ky degradim i sistemit te arsimit në vendin tone, kërkojmë siguri më të lartë në shkollat tona, kërkojmë reforma cilësore në arsim, dhe nuk duam që të bëhemi vegla të këtyre partive që udhëheqin pushtetin lokalë dhe atë qendror”, përfundon komunikata./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›