E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klinë: Rizgjidhet kryetar i Degës së AAK-së Enver Berisha

Enver Berisha është rizgjedhur kryetar i Degës së AAK-së në Klinë. Me vendim të Kuvendit Zgjedhor, në punimet e të cilit ka marrë pjesë edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, bashkë me përfaqësues tjerë të kësaj partie, Berisha nuk ka pasur kundërkandidat dhe është zgjedhur me vota të hapura nga 178 delegatë sa kanë qenë të pranishëm prej gjithsej 195 sa ka Dega e AAK-së në ketë Komunë.

Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së, ka thënë se sado që është bërë punë e madhe deri tash, është sot dita kur duhet të fillojmë punën e madhe për të fituar zgjedhjet komunale në Klinë dhe të gëzohemi të gjithë për fitoren që po vjen. Duke folur rreth zhvillimeve në vend, lideri i AAK-së, Haradinaj, tha se ka shumë punë për t`u bërë.“Pas shpalljes së pavarësisë, kemi shumë obligime të mëdha për një shtet real e të qëndrueshëm, shtet ekonomik dhe me edukim cilësor. Është listë e madhe e punëve që nuk janë realizuar dhe duhet shumë punë dhe tash duhet të sillemi sikur kemi gjendje emergjente për ta aftësuar Kosovën ekonomikisht dhe politikisht drejt integrimeve”, tha Haradinaj.

Sa u përket zhvillimeve në Degën e Klinës, ku ka pasur dorëheqje të dy nënkryetarëve, Haradinaj, tha se në Klinë ka pasur dilema.

“Ju lus të vazhdoni të jeni bashkë, të jeni me njëri-tjetrin, vini hapat e drejtë e mos shihni vetëm momentin dhe të udhëtojmë me këtë vizion. Ata që shohin vetëm momentin gabojnë”, pohoi Haradinaj.

Kurse i rizgjedhuri Berisha ka thënë se në ketë proces ka mbizotëruar kultura politike dhe vullneti i gjetur tek qytetarët për t’u bërë bashkë në rrugën e drejtë të AAK-së.

Dy nënkryetarët e dorëhequr të AAK-së, Haxhi Ibishi dhe Gjokë Lleshi nuk kanë marrë pjesë në punimet e Kuvendit. Ata më parë janë deklaruar të mos e njohin procesin e brendshëm të Degës me arsyetim se ai është proces farsë./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›