E Diel, 1 Nëntor 2026

Ashton premton në Prishtinë: E ardhmja e Kosovës në BE



Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Ketrin Ashton, nisi dje vizitën e saj të parë në Prishtinë, ku përforcoi bindjen se e ardhmja e Kosovës është në BE.Ashton ka zhvilluar një takim të përbashkët me përfaqësuesin special të BE-së, Piter Feith, shefin e misionit EULEX, Iv de Kermabon dhe shefin e Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian, Renco Davidi. Më pas ajo u takua me liderët vendas. Pas takimeve që zhvilloi me kryeministrin Hashim Thaçi dhe udhëheqësit e misioneve civile ndërkombëtare në Kosovë, Ashton inkurajoi vendet e rajonit të nxisin dhe mbështesin dialogun dhe bashkëpunimin rajonal, si pjesë e politikave që e çojnë Ballkanin në BE. Pavarësisht faktit se 5 nga 27 vende të BE-së nuk e njohin ende shtetin e Kosovës, Ashton tha se ka një pajtueshmëri të plotë se Kosova dhe rajoni kanë perspektivë evropiane dhe paraqesin prioritet në axhendën politike të BE-së. “Ajo që Bashkimi Evropian është absolutisht i bashkuar 100 për qind, është se e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian”, tha Ashton, duke rikujtuar edhe përkrahjen që Brukseli i ofron Kosovës në fushën e sundimit të ligjit, përmes misionit të EULEX-it dhe investimeve të vazhdueshme për zhvillimin ekonomik të saj, para se të bëhet anëtare e BE-së. Ajo ka kërkuar nga kryeministri dhe Qeveria e Kosovës që të vazhdojnë bashkëpunimin me EULEX-in dhe t’i përkushtohen zhvillimit ekonomik, në mënyrë që të sigurohen edhe investimet nga jashtë. Ndërsa kryeministri Hashim Thaçi i ka kërkuar nga zonjës Ashton që Bashkimi Evropian të zbatojë politika të njëjta integruese edhe për Kosovën, si dhe ka kërkuar udhërrëfyesin për vizat, duke u zotuar se Kosova do t’i përmbushë të gjitha obligimet që dalin nga procesi i integrimeve. Ashton i ka konfirmuar kryeministrit Thaçi se Bashkimi Evropian, brenda dy javësh do ta dërgojë në Kosovë një delegacion, i cili do të bisedojë për procesin e liberalizimit të vizave. Edhe gjatë vizitës në Serbi, një ditë më parë, Ashton tha se e ardhmja e Kosovës do të jetë patjetër në BE.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›