Digjet makina e ish-prokurorit
SARANDE/ SHPRESA DINE
I vihet flaka makinës së ish-prokurorit, Arben Koka. Një atentat në mbrëmje ka shkatërruar plotësisht mjetin “Benz” të Kokës, aktualisht avokat i njohur në qytetin e Sarandës. Ngjarja ndodhi në një nga zonat që njihen si problematike për vjedhjet dhe shpërthimet e shumta të eksplozivëve. Pikërisht në lagjen 4, në rrethrrotullimin e ish-Markatës, pranë pallatit ku banonte juristi. Sipas burimeve zyrtare të policisë, rreth orës 22.30 të së enjtes, persona ende të paidentifikuar kanë thyer xhamin e automjetit tip, “Mercedes-Benz” sllon, me targë GJ 04 14 B dhe pasi kanë hedhur brenda tij lëndë djegëse, benzinë, me një letër të ndezur i kanë vënë zjarrin, duke bërë që makina të shkrumbohet plotësisht. Makina rezulton në pronësi të shtetasit Arben Koka, avokat i njohur në Sarandë, por që më parë, deri në vitin 2006, ka qenë me detyrë Prokuror i Rrethit Gjyqësor Sarandë. Në vendngjarje, veç banorëve të zonës, janë gjendur dhe forca të shumta të policisë e zjarrfikëses, por pa mundur të shpëtojnë dot mjetin. Ngjarja është cilësuar nga strukturat policore, si një nga më të rëndat, pasi është goditur një ish-zyrtar i lartë i organit të akuzës në Sarandë, që ka trajtuar mjaft çështje të bujshme e të lehta kriminale. Avokati Arben Koka ka deponuar se nuk ka pasur konflikt me asnjë shtetas, por e lidh ngjarjen, ndoshta me detyrën e tij të mëparshme. Nga ana e Policisë dhe Prokurorisë Sarandë ka nisur një punë intensive hetimore, për identifikimin dhe kapjen e autorëve përgjegjës. Vetë Koka është shprehur se fillimisht ka dëgjuar një zhurmë rreth orës 22.30, ndërsa më pas është sinjalizuar nga banorët se makina e tij kishte shpërthyer në flakë. Ai u shpreh se e kishte blerë makinën rreth 1 muaj më parë, duke pohuar për hetuesit se nuk ka pasur asnjë kërcënim apo shprehje pakënaqësish në kohën kur ishte prokuror apo tani si avokat. Fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar nga zjarri i provokuar në makinë. Pak muaj më parë, disa metra larg vendit ku u dogj makina e Kokës, u shpërthye me amonit malor edhe automjeti tip, “Mercedes-Benz”, i oficerit të Policisë Gjyqësore në Prokurorinë Sarandë, Ismail Lala. Kjo zonë njihet si e mbipopulluar kryesisht nga zyrtarë të organeve të Drejtësisë e Policisë në Sarandë.