Droga, 36 në pranga në katër shtete
Trazhgim Sokolaj
Tre persona u arrestuan, katër u shpallën në kërkim, ndërsa dy të arrestuar më parë u morën të pandehur në operacionin “Perëndimi i Diellit”, i cili u finalizua dje në bashkëpunim mes policive në Shqipëri, Itali, Greqi dhe Belgjikë. Grupi kriminal akuzohet se ka trafikuar në Greqi nga kanali i Otrantos rreth 1.5 tonë hashash, ndërsa gjatë hetimit janë bllokuar edhe dhjetë kilogramë heroinë. Marenglen Hallka, nga Fieri, Fatbardh Kapllanaj nga Vlora, janë arrestuar më parë dhe tani kanë një akuzë të re, ndërsa mbahen në burg pasi janë arrestuar në kuadër të hetimeve të mëparshme për çështje të tjera. Tre persona të tjerë janë arrestuar në Vlorë, gjatë aksionit të përbashkët mes Shqipërisë, Italisë, Greqisë dhe Belgjikës. Të arrestuarit janë Pilo Zanaj, Daniel Likaj, Artur Demaj. Ndërkohë në Itali nga policia kanë rënë në pranga 15 persona, shumica e të cilëve shqiptarë. Hetimi ka filluar nga seksioni i Antimafias në Prokurorinë e Leçes. Gjithsej janë lëshuar 36 urdhra arresti, nga të cilët janë ekzekutuar 21. Droga zbarkonte në brigjet e Salentos në Itali dhe më pas shpërndahej në tregun vendas, kanabisi prodhohej në Shqipëri ndërsa heroina vinte nga Afganistani ose nga Maqedonia. Hetimi ndaj organizatës së akuzuar për trafik ndërkombëtar droge filloi pasi në brigjet italiane u zbulua një gomone e mbushur me drogë ndërsa trafikantët kishin ikur. Vëzhgimi i të dyshuarve filloi në vitin 2005 ndërsa aktiviteti i tyre u ndoq deri në vitin 2007. Vetëm gjatë vitit 2005 organizata trafikoi në Itali plot 274 kilogramë marihuanë. Po në vitin 2005, një sasi prej 167 kg marihuanë u sekuestrua pasi ishte trafikuar nga organizata në fjalë. Më pas në vitin 2006 në brigjet e Frigole u gjetën edhe 351 kg drogë, e paketuar mirë në çanta. Më pas më 12 shtator 2006, në brigjet e Brindizit u kap edhe një ngarkesë tjetër, plot 275 kilogramë lëndë narkotike marihuanë ndërsa një muaj më vonë në tetor 2006, u bllokuan edhe 217 kilogramë të tjera. Heroina ndërkohë është bllokuar pasi kishte mbërritur në Itali dhe mbahej në banesat e trafikantëve për t’u shpërndarë. Në total organizatës kriminale i janë bllokuar gjithsej 1 ton e 300 kilogramë marihuanë dhe 10 kilogramë heroinë. Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama ndodhej dje në Leçe, ku doli para medias me prokurorët italianë për rezultatet e operacionit. Ndërkohë në Tiranë, Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Policia e Shtetit konfirmuan identifikimin e nëntë personave pjesë e bandës, 5 nga të cilat janë arrestuar ndërsa katër janë shpallur në kërkim.