Tiranë, Gjykata e Apelit “fsheh” vendimet penale
TIRANE – Prokuroria e Apelit në kryeqytet zhvilloi dje analizën e punës për vitin 2009, duke theksuar se Gjykata e Shkallës së Dytë, në mënyrë të përsëritur ka prishur dënimet dhe masat e sigurimit të dhëna në Shkallën e Parë. “Nga 290 apele për çështje në themel, gjykata ka pranuar vetëm 34 prej tyre, ose thënë ndryshe vetëm 11 për qind”, thuhet në dokumentin e analizës së Prokurorisë së Apelit. Në rastet e masave të sigurimit personal, nga 54 apele të bëra nga Prokuroria, gjykata ka mbështetur vetëm 10 prej tyre. Sipas analizës, veç prishjes së masave të dënimit dhe masave të sigurimit në mënyrë të vazhdueshme nga Gjykata e Apelit, kjo e fundit nuk ka zbardhur dhe nuk u ka dorëzuar prokurorëve vendimet penale të dhëna prej saj brenda afatit 30-ditor, duke u bërë kështu pengesë për dërgimin e çështjeve në Gjykatën e Lartë. Pas këtyre të dhënave statistikore të prokurorisë, të paraqitura nga kryeprokurori Shkëlqim Hajdari, Gjykata e Apelit reagoi dje duke thënë se ai nuk ka qenë i pranishëm në asnjë gjykim. Ndërkohë Prokuroria u kundërpërgjigj se kryetari i Gjykatës së Apelit nuk mori pjesë në analizën e organit të akuzës edhe pse ishte i ftuar. Të njëjtën gjë, sipas Prokurorisë, kryegjyqtari i Apelit e ka bërë edhe vitin e kaluar. tr.so