E Diel, 1 Nëntor 2026

“Më 20 shkurt ‘91 na urdhëruan që njerëzit t’i çonim në qendër”



Ferdinand Dervishi

Njeriu që ka vendosur të rrëfejë, i përket asaj mase të vogël shqiptarësh që më 20 shkurt 1991, e përjetuan krejt ndryshe rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës. Pa entuziazëm, madje me ankth për llogaritë e së nesërmes. Sepse atë ditë ishte i rreshtuar në anën tjetër, në anën e mbrojtësve të këtij monumenti, duke komanduar një skuadër jo të vogël të policisë së Tiranës. Me kushtin e vetëm që të mos i përmendet emri, i njëjti personazh mbase për herë të parë nxjerr në publik të vërteta që shumëkush nuk i di, apo edhe nuk i imagjinon. “Më 20 shkurt 1991 na urdhëruan që askush të mos depërtonte në shëtitore dhe se e gjithë turma duhet të drejtohej për në qendër të qytetit”, është thelbi i rrëfimit të tij që gjithsesi nuk mbaron këtu. Ish-funksionari tregon për herë të parë se si duke zbatuar verbërisht këtë urdhër i kishin detyruar turmat të ecnin në një rrugë të vetme, në drejtim të qendrës, pra duke ju bllokuar edhe rrugët që të çonin në drejtime të ndryshme të Tiranës. Ndërsa në fund edhe një tjetër dëshmi e pabesueshme, sipas të cilës protestuesit nuk kishin asnjë plan paraprak të rrëzonin statujën e Enver Hoxhës.
Zotëri, mund të na tregoni si e nisët ditën më 20 shkurt 1991?
Ne si drejtues të Policisë së kryeqytetit kishim të dhëna për grumbullime të shumta, sidomos të sindikalistëve që kishin paralajmëruar lënien e punës masivisht, më 20 shkurt 1991, në përkrahje të kërkesave të studentëve grevistë. Pra, që një natë më parë u hartuan plane masash për të përballuar një situatë aspak të zakonshme. Kujtoj se nga eprorët tanë në Ministrinë e Punëve të Brendshme ishte nuhatur se e nesërmja do të ishte një ditë me zhvillime, por askush nuk kishte ndonjë të dhënë për rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës në qendër të qytetit. Gjithsesi u morën masa që të ruheshin institucionet qendrore, Presidenca, Kryeministria, Kuvendi Popullor, Televizioni. Godinat e tyre ishin të grumbulluara në të njëjtën zonë, pak a shumë, dhe plani i masave që bëmë – gjithmonë flas për mbrëmjen e një dite më parë - parashikonte që policia të bllokonte të gjitha rrugët dytësore të rrugës së Elbasanit, nga ku qytetarët mund të shkonin në drejtim të këtyre institucioneve.
Po ruajtja e Bllokut, ku jetonin krerët e shtetit e të Partisë së Punës, a ishte në planin që hartuat?
Kjo ishte një detyrë e përditshme. Nuk kishte plan masash për ruajtjen e tij, sepse përditë ruhej. Por mbajtja larg e qytetarëve nga shëtitorja “Dëshmorët e Kombit” e siguronte njëkohësisht edhe Bllokun.
A ishit të armatosur më 20 shkurt 1991?
Një pjesë e mirë e policisë, ajo që ishte caktuar të përballej me protestuesit eventualë ishte pa armë. Unë një njësi të tillë, pa armë, drejtoja. Por kishim shkopinj gome dhe skafandra. Ndërkohë kishte edhe grupe të armatosura të policisë, të cilat do të rrinin të stacionuara në vende të ndryshme, kryesisht të vendosura nëpër furgonë.
Pranë Televizionit Shtetëror, atë ditë është qëlluar me armë luftarake. Si e shpjegoni këtë?
E njoh shumë mirë si moment. Nuk ka qëlluar policia, por një ushtar, apo oficer i Gardës. Ai ka qëlluar në ajër me qëllim që të trembte një turmë që donte të shpërthente forcat e policisë në drejtim të Kryeministrisë. Plumbat e tij rrëzuan ca degë pemësh përtokë dhe njerëzit u frikësuan. Policia atë ditë pothuaj nuk e ka zbrazur fare.
Pse pothuaj?
Se ka një rast, kur një tip qëlloi drejt dy protestuesve me pistoletë.
Mund të na rrëfeni pak më shumë për këtë?
Më pas, kur t’i vijë radha.
Si vepruat me njerëzit që po zbrisnin nga “Qyteti Studenti”?
Kjo përfshin një masë të madhe kohore. Sepse që nga përtalljet e para me këtë masë njerëzish, deri te dërgimi i tyre drejt qendrës, kishte orë të tëra në mes. Detyra jonë, që na përsëritej në radio pambarim, ishte që të mos i lejonim njerëzit të futeshin në shëtitore. Pra duhet të ruheshin me çdo çmim institucionet kryesore të vendit dhe kuptohet bashkë me ta edhe Blloku, ku ishin vendosur familjet e drejtuesve kryesorë të kohës. Kujtoj se situata të vështira për t’u përballuar u krijuan te Televizioni Shtetëror dhe Ura e Lanës. Dikur në radiot tona, nga një drejtues i lartë i Ministrisë së Brendshme, u përsërit disa herë urdhri që njerëzit të liheshin, të drejtoheshin drejt qendrës së qytetit.
Si e kuptuat ju këtë?
Nuk mbante më situata në disa pozicione kyçe, si ato që përmenda, te Liceu e te Ura e Lanës. Tani pas 19 vitesh unë them se të turbulluar siç ishim, këtë komunikim e kemi kuptuar si policët. Pra ne e kuptuam se duke i dërguar këtu turmat, në qendër, do i mbanim më të kontrolluara. Sepse ne si polici kishim meritat e shpërndarjes në dy raste të grumbullimeve të studentëve në kohë rekord, njëherë përmbi Ambasadën Amerikane sot, dhe njëherë te Liceu Artistik. Pra e kishim lart moralin. Kështu që nisëm t’i dërgonim njerëzit drejt qendrës duke kujtuar se aty do ishte e lehtë që t’i shpërndanim, qoftë duke u dhënë nga një mësim të mirë të gjithëve. Urdhrin e morëm si të padiskutueshëm dhe kështu që veç rrugëve që të çonin nga shëtitorja, bllokuam edhe ato në anën tjetër duke e lënë turmën të ecte vetëm në rrugën e Elbasanit, të kalonte Urën e Lanës dhe të futej në qendër.
Pra, bllokuat edhe rrugët në të kundërt?
Po, madje kujtoj se një moment kam qenë edhe unë te Ura e Lanës, dhe pashë sesi kolegët e mi bllokuan edhe drejtimin për nga lagjja “Ali Demi” edhe atë që të çon nga “Bërryli”.
Ju personalisht ishit në qendër kur u rrëzua shtatorja?
Patjetër. Aty u dislokuam që të gjithë. Unë jam gati të rrëfej të gjitha lëvizjet e policisë dhe të turmës së njerëzve në shesh. Por jam i bindur pa lëkundje se njerëzit nuk kishin asnjë plan paraprak të rrëzonin statujën. Ata u nxitën vetëm kur panë policinë që po e ruante atë duke e mbajtur të rrethuar nga të gjitha anët. Prandaj dhe u lindi ideja ta rrëzonin.
A mund ta kishte shmangur policia rrëzimin?
Nuk di të them. Mbase po të ishte vendosur e gjitha rreth statujës, mbase po të ishin përdorur armët edhe mund ta kishte shmangur. Sepse po të ishte qëlluar do ishte përhapur panik.
Premtuat të rrëfenit një histori nga fundi...
Po. Ka të bëjë me pjesën pas ngjarjes, pas rrëzimit të monumentit. Një pjesë e mbetjeve të bronzta u tërhoqën zvarrë në drejtim të “Qytetit Studenti”, ndërsa një pjesë tjetër u tërhoq në drejtim të kryqëzimit të “21 dhjetorit”. Diku pranë një fushe sportive, përballë “Volkswagenit” të sotëm, një polic, një tip i vështirë, nxori pistoletën dhe qëlloi në drejtim të dy të rinjve që mbanin këtë pjesë të statujës. Njëri u rrëzua. Nuk e di nëse vdiq, por patjetër që do jetë plagosur. Pastaj ai tipi me disa kolegë e morën atë pjesën e bustit.
Si i gjykon pas 19 vitesh këto ngjarje?
Të drejta. Por mbase mund të kishin kaluar edhe me më pak dhimbje. Se ne shqiptarët u jemi bindur pothuaj gjithmonë atyre që kemi pasur në krye.

Shoferi u prangos, por u la i lirë pas alibisë
Statuja pas rrëzimit u tërhoq me një makinë policie

Për të mos u besuar, por pas rrëzimit statuja e bronztë e Enver Hoxhës është tërhequr fillimisht zvarrë nga një prej kamionëve të policisë, që kishin shërbyer për të transportuar trupat. Makina, e tipit “IFA” ishte e pozicionuar në afërsi të statujës, në momentin kur ajo u rrëzua përtokë duke u tërhequr me litar. Vetë shoferi i saj, punonjës policie, që paguhej si shofer nga Parku i Ministrisë së Brendshme, e drejtonte makinën. Por pas pak minutash makina u bllokua për shkak të peshës së madhe të statujës, së cilës i kishin hipur sipër një numër i madh qytetarësh. Historia e makinës së policisë këtu mbaron. Më tej tërheqjen e vazhdon një mjet civil. Ndërsa shoferi, tashmë i dekoruar nga Presidenti i Republikës, i prangosur nga kolegët e tij menjëherë më pas, sipas disa dokumenteve të gjetura, është shfajësuar përballë tyre se e kishin detyruar me dhunë, prandaj nuk kishte refuzuar të vinte makinën në dispozicion të protestuesve. Një alibi apo një e vërtetë, që gjithsesi 19 vite më pas ka vetëm vlerën e një kurioziteti.

neser do te lexoni

- Dokumenti ekskluziv/ Dëshmia e hollësishme e Aredin Shytit, ish Zëvendësministrit të Punëve të Brendshme për Komitetin Qendror të Partisë së Punës, lidhur me ngjarjet e 20 shkurtit 1991.

- Zëvendësministri i Punëve të Brendshme shpjegon për herë të parë mospërdorimin e armëve dhe arsyet e tjera përse nuk e mbrojtën dot shtatoren e Enver Hoxhës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›