Asistentja ime, Xheni!
Asistentja ime, Xheni, ka disa ditë që vjen në punë me vonesë. Pranë shtëpisë së saj prej ditësh shpërthen ndonjë “Gërdec”.
Prej kohësh disa koncepte të rëndësishme shqiptare mbi ujin, tokën, dashurinë, besnikërinë dhe burrërinë kanë pësuar ndryshime të mëdha e kanë marrë të tjera vlera duke humbur njëherë e mirë të vjetrat. Mirëpo, se do të vinte dita e do të na ndryshonte koncepti mbi zjarrin e zjarrvënien, kjo nuk do të më kish shkuar kurrë në mend.
Xheni, po të kish qenë “e jashtme” e të ish zgjuar nga gjumi prej flakëve të zjarrit rënë në ndërtesën ngjitur me dritaren e saj, do të ish dëmshpërblyer aq mirë prej “Atij” që lejon ndërtimin e një fabrike mes një zone të banuar, e për më tepër nuk përcakton standarde të larta parrezikshmërie, saqë do të kish fjetur mendjen për ca vjet e s’do kish ardhur kurrë më të punonte për mua! Por, në fakt, Xheni, megjithëse e kish patur pothuajse të pamundur të dilte nga shtëpia e saj, të kapërcente nëpër një turmë të tërbuar njerëzish të tërbuar, përmes tymit të zi mbytës e zjarrit bubulak e gllabërues, rendi nëpër trafik të ngecur, me frikë në zemër, se mos unë e qortoja për vonesën.
Dhe të dyja herët që ka ndodhur, brenda kësaj jave që nisi të martën e përfundoi të premten, Xheni ka ardhur e shqetësuar për vonesën dhe jo e frikësuar prej zjarrit. Apo e lumtur për dëmshpërblimin. Apo e kënaqur nga niveli i lartë i shërbimit të emergjencës. Ajo as që i ka përmendur fare këto. Asaj, nga kjo ngjarje që atë e prek drejtpërdrejt si banore e asaj zone, nuk i ka bërë asgjë përshtypje, përveçse e ka penguar të vijë në orar në punë.
Të dyja ndërtesat që morën zjarr në autostradë, me gjithë atë zjarr bubulak krejt pa ndonjë arsye të madhe, sikur duan të paralajmërojnë një profetësi. Njëlloj si ai parimi i duhanxhinjve, të cilët s’mund të ndezin tri cigare me një, se ndryshe vdes një marinar. Ashtu edhe kjo punë e zjarreve së fundi, nëse ka patur dy aksidentalë, do të thotë se i treti do të jetë i qëllimshëm.
E di, do më ngjitet damka e Kasandrës, që më shumë i hodhi ujë zjarrit se sa paratha të ardhmen, por nuk kam ç’bëj! Rreziku i zjarrit që do të marrë dhenë e Shqipërisë, po ndihet keqas.
Por, më e keqja është se banorët e Shqipërisë, e kujtdo lagjeje, pasi këtu çdo pëllëmbë është në rrezik, nuk duan t’ia dinë.
Sepse, po të donin t’ia dinin, do t’i vinin përpara përgjegjësisë të gjithë ata që lejojnë një rrumpallë të këtillë urbane. Që vështirëson edhe jetën, edhe punën e gjithkujt. Në vend që të ndëshkohen ata që s’marrin masa parandaluese, përkrahen ata, që edhe nëse përpiqen t’i japin fund shkatërrimit, janë të rraskapitur.
Shqipëria, që po shitet 1 euro për termocentrale, centrale bërthamore, centrale eolike, hidrocentrale e qendra komerciale, në vazhdën e kësaj katastrofe që po nis si pa u ndjerë me “tek-tuk” zjarre bubulakë, do të shpërthejë befas një ditë e do t’ia bëjë bam! Do të turpërohemi fare-fare, në sy të gjithë botës pastaj! Sepse ia kemi bërë Shqipërinë Yll me Bisht për investime të mëdha. Vërshime kryeministrash, ministrash, dhomash tregtare, bankash e investitorësh të mëdhenj kanë nisur zhurmërimat nëpër holle hotelesh disayjore.
Ndaj dhe do të jetë turp për ne, kur, pasi t’i kemi bërë të investojnë qindra, miliona, miliarda, t’i hedhim në erë me gjithë mullinj.
Turp! E vetmja zgjidhje do të ishte që ne, si qytetarë të mirë e të ndershëm që jemi, të mos ta lejojmë edhe konceptin mbi Zjarrin të na ndryshojë, nga Shfarosës, në vetëm një Pengesë për të vajtur në orar në punë.
Kryeministri dhe qeveria, bashkë me shumë investitorë të huaj, në bashkëpunim me shtete të fuqishme evropiane, i përkrahur edhe nga disa profesionistë, kanë rënë dakord ta shndërrojnë Shqipërinë në superfuqi energjitike.
Pavarësisht nga fakti nëse ne do të përfitojmë energji apo jo, ne nga këto investime do të kishim mundësi të përfitonim shumë. Në rast se të gjitha përfitimet nga kontratat e këtyre investimeve do të investoheshin në rindërtimin nga e para, pa kursyer asnjë kacidhe, e të gjithë infrastrukturës dhe shërbimit civil, pa dyshim që çdo lloj investimi i këtij karakteri do të ishte shumë i dobishëm.
Në rast se këto investime do të rrisnin përgjegjësinë e shtetit mbi kushtet teknike e kushtet e sigurisë së ndërtimeve në zonat e banuara apo transferimin e zonës së banuar në një zonë jo-industriale, natyrisht që investimet do të ishin fat i madh për ne.
Sikur çdo investim të garantonte punësim, kualifikim dhe mirë-trajtim të shqiptarëve, atëherë do t’ia ketë vlejt’ Shqipëria, 1 euro.
Mirëpo kjo do të merret vesh, ose pas 100 vjetësh, ose qysh sot, nëse zgjohet populli nga letargjia e ia kërkon me çdo kusht kujtdo që bën pazar me Shqipërinë!