Gjyshja e Bashës, themeluese e PD në Vuthaj
Antena brenda familjes
Flamurit i ka rënë barrë e rëndë. Duhet të bëjë gati historinë e re të PD me rastin e 12 dhjetorit. E ka marrë dje ai burri në telefon dhe i ka thënë të fusë doemos Lulzim Bashën te themeluesit.
- Po nuk ka qenë, - i tha Flamuri, - si t’ia bëjmë?
- S’ka problem, Flamur. Ka qenë me mendje dhe zemër. Na duhet themelues. Pastaj takoje pak Lulin dhe merri ca të dhëna biografike.
Dy orë më pas, Basha dhe Flamuri u takuan në zyrën e ish- KOP, që vinte era myk, ngaqë nuk ishte hapur tri vjet.
- Më thuaj ca gjëra nga biografia jote t’i shkruaj, - tha Flamuri, - se na duhen për 12 dhjetor.
- OK, - tha Luli. - Po e nis me historinë e familjes time.
Flamuri nisi të shkruajë, Luli nisi të fliste.
- Rrjedh nga një familje që nuk ka dy nëntorë në historinë e saj, por ka dhe një nëntor të tretë. Kombi shqiptar ka vetëm 28 Nëntorin e vitit 1443 dhe 28 Nëntorin e vitit 1912, kurse unë kam dhe 28 Nëntorin e vitit 1932....
- Luli, Luli mos u nxito, se ne të PD kemi tre nëntorë, kemi dhe 28 Nëntorin e vitit 1944. Këta të PS kanë dy nëntorë, se nuk e njohin nëntorin e tretë. Ai burri jonë e njeh. Se ti nuk ke qenë këtu, ke qenë refugjat, po ne mblidheshim çdo 28 Nëntor tek “Hotel Tirana”. Ne kemi tre nëntorë. Kështu që duhet ta shkruaj nëntori i katërt, se po the nëntori i tretë, je socialist.
- Ashtu? S’e dija këtë. Pse, ne e njohim Festën e Çlirimit apo jo? Se doktori ka thënë nuk e njohim...
- E ke gabim. E njohim si festë, por e njohim më 28 Nëntor. Pra e kemi nëntor të tretë. Ti mos dëgjo socialistët që thonë nuk e njeh ai burri Festën e Çlirimit. E njeh ai. Po nuk njeh datën 29, se është e Jugosllavisë....
- Ah, po. Ma prishe rrjedhën logjike tani. Po e nisim dhe një herë.
- OK, fillo, - i tha Flamuri, - se mbaj shënime unë.
- Rrjedh nga një familje që nuk ka tri nëntorë në historinë e saj, por ka dhe një nëntor të katërt. Kombi shqiptar ka vetëm 28 Nëntorin e vitit 1443 dhe 28 Nëntorin e vitit 1912, dhe 28 Nëntorin e vitit 1944... Familja ime ka dhe 28 Nëntorin e vitit 1932. Më 28 Nëntor të vitit 1932, gjyshja ime që ishte ende e re, u nis nga Peja së bashku me familjen e saj për të festuar në Vuthaj. Vuthaj është një nga fshatrat më me histori në zonën e Plavës dhe Gucisë. Ranë në Vuthaj afër mbrëmjes, dhe shkuan në një familje patriotike. Aty i priti i pari i shtëpisë, u tha: “Mirë se keni ardhë! ǒe mirë ju solli?”
- Kena ardhë më ju pa për festë e me ju njoftu me çikën tonë, të cilën po duam me e martu, - i tha katragjyshi im.
- Mirë se keni ardhë, - tha i zoti i kullës dhe i tregoi një djalë të ri, të ardhur nga Gjakova për festë aty në Vuthaj. U pëlqye krushqia dhe u ngjiz nga familja patriote. Ndenjëm një kohë në Vuthaj dhe gjyshja me gjyshin si çift i ri vendosën me lëviz, se s’kishin aty as shtëpi, as gjindje. Të zotët e shtëpisë u thanë të ikin në Tiranë, se aty ka dërzhavë dhe mund të bëjnë prokopi. Bashkë me ta erdhën dhe familjarët që i pritën. Situata jo-stabël në mbretërinë serbo- kroato- boshnjake e kishte bërë të vështirë jetën në bjeshkë. Ranë në Tiranë dhe u vendosën te lagjja e dibranëve. Miqtë e tjerë nga Vuthaj u vendosën në Brakë. Kështu, gjyshja ime nuk e harronte kurrë 28 Nëntorin, festën tonë kombëtare, pasi ishte dhe festa e saj e madhe, pasi kishte ikë si çikë nga Peja e ishte martu dhe kishte zbritë në Tiranë.
- OK Luli, fol ndonjë gjë që na duhet më shumë për ty për veprimtarinë patriotike.
- Prit, se ka shumë rëndësi fshati Vuthaj. Se nga ai fshat nuk ka ardhë vetëm gjyshja ime, po dhe gjyshi dhe gjyshja e Argitës, dhe kanë qenë miq gjithë kohës...
- Leri këto tani, po më thuaj ndonjë gjë që ta shënoj në biografi, se më ka thënë ai burri të të nxjerr themelues.
- Dëgjo mua, shkruaje këtë për Vuthajn dhe familjen ku ka bujtur gjyshja dhe gjyshi im, se ka shumë rëndësi. Se PD nuk është themelu më 12 dhjetor të 1990, por është ngjizur qysh më 28 nëntor të 1932. Po të mos ishte ai udhëtim biblik i gjyshes sime, unë kurrë s’do isha ky që jam, kurrë s’do isha kthyer në gjurmët e gjyshes nga Kosova e drejt e në frontet më të vështira në krye të qeverisë dhe mbi të gjitha kurrë nuk do më shkonte mendja të bëja atë rrugë që bëri për në Pejë. Tashmë, kush të dojë të vijë apo të ikë e ka rrugën hapur, nuk ka për të ndjekur rrugën e vështirë të gjyshes sime.
- Mirë, mirë, i kuptoj të gjitha këto, po ç’të shkruaj unë këtu, se ma kërkon ai burri?
- Shkruaj këtë që gjyshja ime është nga Peja, ka bujtur në Vuthaj, pastaj ka ardhë në Tiranë dhe je në rregull. Kështu kanë ecë gjithë politikanët në Shqipëri. Dhe Ramiz Alia nga një fshat i Pejës është, ka bujtë nëna e tij një natë në Vuthaj, ka rënë në Shkodër dhe aty është martu përsëri. Dhe familja që ka bërë krushqi ai burri, kështu e ka historinë, po nga Vuthaj kanë rënë në Tiranë. Dhe unë ashtu e kam historinë. Ça do më shumë nga unë ti? Është i shkruar fati im, të eci në gjurmët e të parëve.
Flamuri më në fund u dorëzua. Fjalimi i Bashës e kishte lodhur aq shumë, sa nuk dinte ç’të bënte.
Ra telefoni i atij burrit.
- ǒbëre me Bashën? - i tha. - Fole gjë?
- Fola, - i tha Flamuri. - Ramë dakord të shkruajmë që fillesa e PD ka qenë më 28 Nëntor 1932, kur gjyshja e Lulit ka rënë nga Peja në Vuthaj, është martuar dhe ka ardhë në Tiranë. Prej atëherë ai ka projektuar lindjen e një vajze, e cila do lindte një djalë, i cili do të ishte udhëheqësi i ardhshëm i PD.
- Lëri këto Flamur. Këto janë fakte fantastike, por na duhen për në prokurori për t’u mbrojtur nga akuzat si patriot. Gjej ndonjë tjetër për PD.