Harasani: Qeveria të bëjë transparencën e projekteve energjitike
Deputeti socialist, Andis Harasani, kërkoi dje në Kuvend transparencë nga ana e qeverisë në lidhje me projektet gjigante që janë miratuar me Italinë.
Harasani tha se, si Italia, ashtu dhe Shqipëria kanë të njëjtin problem për sa i përket energjisë.
“Kryeministri italian, Berluskoni, erdhi për herë të dytë në Tiranë dhe mësoi se kryetarja e Kuvendit nuk është beqare. Mësoi që kryeministri Berisha ka dashuri shumë të madhe për përjetësinë e ullirit si bimë dhe të pushtetit si mjet jetese, mësoi edhe se Shqipëria ka bërë hapa domethënës drejt demokracisë dhe instalimit të shtetit të së drejtës. Besoj se mund edhe t´ia kenë justifikuar mungesën në takime protokollare e drekën protokollare të ministrit të Jashtëm, zyrtarisht nën akuzë për grabitje të fondeve publike, me të njëjtin argument që Basha vetë i është fshehur prokurorisë: “Jam jashtë për punë!”
Kryeministri italian firmosi dhe një depërtim të jashtëzakonshëm të fondeve italiane këtej Adriatikut, private dhe publike, në masën deri në 2.3 miliardë euro”, - tha Harasani.
“Një shi i tërë parash që do të përdoren në 6 projekte të lidhura me energjinë. Brenda pak vjetësh, Shqipëria, së paku do të prodhojë përmes TEC-eve dhe centraleve të energjisë së erës, pothuaj dyfishin e energjisë që prodhon sot. Do të rrisë, si një pasojë indirekte të saj, emetimin e gazit karbonik dhe gazrave të tjerë të dëmshëm për shëndetin e njeriut, në një masë që është e vështirë të llogaritet sot. Duke hedhur një hap të tillë, eurot italiane shmangin disa rrethana të sikletshme për politikën e saj lokale: ato nuk kapërcejnë kufirin e çlirimit të këtyre gazrave të parashikuar nga Protokolli i Kiotos, nuk dëmtojnë ekosistemet në Itali dhe lënë pas, sipas parimit të zhvillimit, të qëndrueshëm atë pjesë që e kanë marrë me “qira” nga fëmijët e së ardhmes, nuk dëmtojnë të ardhmen e turizmit dhe gjithashtu nuk i hyjnë telasheve me qeveritë lokale të zonave të mundshme ku mund të ndërtoheshin këto vepra në Itali. Thjesht, jepen paratë dhe prodhohet energjia e nevojshme, aq e dëshiruar në Itali”, - vijoi më tej ai.
Harasani tha se Berluskoni me vizitën e tij në Tiranë kreu thjesht, drejt dhe direkt detyrën për të cilën është votuar.
“Partnerët shqiptarë, në këtë rast, qeveria e Sali Berishës, më së paku ka disa detyrime kushtetuese, politike dhe morale për të dhënë:
Së pari, këto investime direkte italiane në fushën e energjisë, sa ndikojnë në zgjidhjen e problemit tonë të mungesës së energjisë në vend?
Çfarë pjese do të zërë energjia e prodhuar në Shqipëri për të shkuar në dobi të konsumatorit shqiptar?
Me çfarë kushtesh është ofruar kjo kontratë prodhimi energjie?
Kush do të paguajë, e kam fjalën në vlerë monetare, përveç shëndetit të shqiptarëve, për emetimin e gazrave të dëmshëm?
Cili do të ishte impakti në mjedis i këtyre veprave dhe sa do të ndikojnë ato në rrafshin e zhvillimit strategjik të turizmit në Shqipëri?
E thënë me fjalë të tjera, veç hapjes së disa dhjetëra apo qindra vendeve të punës, cilat do të jenë përfitimet e shtetit shqiptar që në këtë rast paguan, të paktën në vështrim të parë, të gjitha kusuret e kësaj historie?
Këto pyetje dhe një numër tjetër i pafund që mund t´i shoqërojnë ato, duan përgjigje urgjente, së pari nga kryeministri. Përpara se të valëvisë dafinat e suksesit politik, duhet të shpjegojë impaktin e vërtetë ekonomik të këtyre veprave.
Deri më tani kjo transparencë ka munguar. Si deputet i Partisë Socialiste, forcës politike që po rend tashmë drejt pushtetit për të ndërtuar shtetin e qytetarëve, do të isha gati të duartrokisja gjithashtu si sukses depërtimin e 2.3 miliardë eurove investime direkte në vend. Por më parë, pres përgjigje për këto pyetje”, - tha Harasani.