E Shtunë, 31 Tetor 2026

TIFF, spektakolar në edicionin e tij të gjashtë

Nga Dhurata Hamzai

Edicioni i gjashtë i TIFF, i çelur ditën e hënë, më 1 dhjetor me filmin “Heshtja e Lornës”, ka qenë spektakolar edhe për shfaqjen e dy filmave me metrazh të shkurtër, “Intercom” i regjisorit britanik Mark Gutteridge dhe “My mother learns cinema” i regjisorit turk Nesimi Yetik. Një ditë më pas janë shfaqur filmat “Grandpa Frost” i regjisorit slloven D. Sinko, “Road marks” i izraelitit Shimon Shai, filmi i animuar “Cut tail”,(10’) i regjisorit shqiptar Gj. Varfi. Regjisori amerikan J.P. Chan konkurroi me “Beijing Haze”. Është krijuar deri tani rrethi i të interesuarve për këta filma kaq interesantë, por shumë pak është bërë reklama mediatike për publikun e gjerë.

Megjithatë, për një publik që respekton filmin si një krijimtari me vlera, filmat janë mirëpritur. Të tillë kanë qenë dy filma britanikë; animacioni “Heather”, 5’ i E. Suckling dhe filmi me metrazh të shkurtër “Trip”, 15’ i H. Wootliff. Tiff në edicionin e gjashtë tij vjen më konkurrues se kurrë.

Fatkeqësisht, ky festival ka shumë pak mbështetje. Ministria e Kulturës hoqi financimet, por organizatorët janë shumë ambiciozë. Ata kanë ftuar njerëz nga e gjithë bota dhe shfaqen shumë filma interesantë nga shumë vende.

Në këtë edicioni konkurrimi ka vazhduar me filmin “Impermissible problem”, 16’, i iranianit A. Golzarian, ku nuk ka munguar as shfaqja e filmave me animacionin si “Bear’s Hand”, 4 minuta, i regjisores zvicerane M. Rosseti, filmi me metrazh të shkurtër “Shred of hope”, 26’, të izraelitit T. Shoval, animacionin “Greed”, 7’, të regjisores shqiptare R. Nova, “Ah, Liberty’, 20’, të britanikut B.Rivers, “510 meters above see level”, 16’, të regjisores zvicerane K. Polite dhe filmin e animuar “Ergo”, 12’ min të hungarezit G.M.Toth. Mes tyre ka pasur edhe shfaqje me metrazh të gjatë si “Illuminata” e J. Turturro. Gjeografia e pjesëmarrjes ka qenë shumë gjithëpërfshirëse, përfshi dhe risitë artistike, ndaj nuk kanë munguar befasitë nga shfaqje të tilla si filmi i komikut britanik që shpëtoi nga regjimi i Hoxhës. Në programin special të “Tirana International Film Festival”, dy filma të rrallë të gjetur në Arkivin e Filmit Shqiptar. “Mr Topaze” dhe “Bazilikasit” për herë të parë në kinema që nga vitet ’60. Mësojmë se janë thesare të gjetura në Arkivin e Filmit Shqiptar dhe një pjesë e tyre nuk gjenden as në DVD, në asnjë vend të botës. Ata u bënë pjesë e programit special të “Tirana International Film Festival”. Bëhet fjalë për filmat “Mr Topaze” ose “Unë i dua paratë”, prodhim filmik britanik i vitit 1961 i legjendarit komik anglez Peter Sellers, i cili u shfaq mbrëmë për publikun në Imperial Sheraton. I shndërruar në yll ndërkombëtar, Sellers, i cili më vonë krijoi filma të mirënjohur, si: ‘Being there’ apo ‘Dr. Strangelove’, iu kthye në vitet ’60 ‘Mr Topaze’ dhe nuk pëlqeu atë çfarë kishte krijuar. Ai urdhëroi që të gjithë kopjet t’i ktheheshin atij dhe i dogji dhe shkatërroi”. Porse regjimi i Enver Hoxhës për shumë arsye e injoroi këtë urdhër të komikut të njohur britanik dhe nuk e ktheu kurrë kopjen e filmit. Kështu, sot fatmirësisht kemi në dorë këtë film që kritikët dhe fansat e Sellers e kanë pasur të pamundur ta shohin. Që në vitin 1961 filmi nuk është shfaqur kurrë në televizion në Angli apo në Amerikë, nuk është shfaqur kurrë në kinema dhe nuk ka qarkulluar as në DVD. Është një film bardh e zi, ku Peter Sellers, njëkohësisht regjisor dhe aktor ka sjellë një adaptim të dramës së Marcel Pagnol rreth një mësuesi francez. Po ashtu sukses në këtë festival ka pasur edhe filmi i regjisores italiane Lina Wertmuller. Thuhet se regjimi komunist pasi e importoi këtë komedi italiane, e mbylli atë në raftet e arkivit. Duke qenë se regjisorja njihej si e majtë politikisht, mund të kuptohet lehtësisht pse filmi erdhi fillimisht në Tiranë, por nuk u shfaq për shkak të subjektit të tij. Për 10 minuta satirë të jetës në një qytet të vogël të Italisë është e qartë pse nuk është shfaqur në kinematë e Shqipërisë. Tre burra të rinj pa qëllim, duke diskutuar për gratë dhe seksin, një indikacion i humorit radikal, i cili shënoi filmat e saj të mëvonshëm të viteve 1970. “Ky film erdhi në Shqipëri në vitin 1981, kur Mehmet Shehu ishte vrarë dhe këtu në Shqipëri ishte shumë rrezikshëm. Wertmuller ishte një marksiste e njohur. Për këtë arsye filmi i saj është futur lehtësisht në Shqipëri. Në mënyrë të ndershme në këtë film flitet për seksin dhe fenë. Ky film nuk është në DVD. Organizatorët e Filmit kanë bërë spektakël duke i hequr drynat ideologjikë Arkivit Shqiptar të Filmit. Tek ky film ndihet influenca nga Fellini në planet bardh e zi të kameramanit Gianni Di Venanzo, si dhe ideja e subjektit nga “I Vitelloni” (1953) të regjisorit të madh, pohojnë kritikët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›