Bumçi: Prokuroria, e pavarur nga mazhoranca dhe vegël e opozitës
Zëdhënësi i grupit parlamentar të PD, Aldo Bumçi, tha të enjten në Kuvend se Prokuroria e Përgjithshme është e varur nga opozita. Sipas tij, akuzat që i bëhen Lulzim Bashës për abuzime me fondet publike në ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës janë politike dhe deputeti Bumçi u ndal te pozicioni i organit të prokurorisë në këtë çështje. “Çdo akt për ndërtimin e rrugës është një vendim kolektiv i qeverisë. Mazhoranca është për hetimin e rrugës dhe shtetin ligjor, por ne nuk mund të mbajmë gojën mbyllur, kur shikojmë se si prokuroria është kthyer në një instrument politik”, - tha deputeti i PD. Duke u ndalur të pavarësia e gjyqësorit, Bumçi u shpreh se ka ikur koha, kur ky sistem mund të përdorej politikisht, dhe si referencë Bumçi mori Gjykatën Kushtetuese. “Gjykata Kushtetuese ka kthyer në këto tre vjet më shumë ligje se sa ka kthyer në tetë vite, që është shenjë e pavarësisë dhe jo e kontrollit ndaj institucioneve. Por, ndërsa prokuroria është e pavarur nga shumica dhe qeveria, nuk është e pavarur nga segmente të tjera si opozita dhe kryetari i saj”, - tha ai
Ndërsa nga ana e saj opozita u shpreh se mazhoranca po përpiqet të tjetërsojë hetimet për çështjen e kësaj rruge. Sipas nënkryetarit të grupit parlamentar të PS, Erion Braçe, mbi prokurorët dhe gjykatësit është duke u ushtruar dhunë dhe shantazh me qëllim shtrembërimin e së vërtetës. “Natyrisht, mazhoranca po e përdor politikisht, për të deformuar hetimin, tjetërsimin e gjykimit, me shantazh dhe kërcënim prokurorësh, nga ana e Sali Berishës, si i interesuari kryesor në këtë çështje, duke mos mbajtur një prej premtimeve kryesore për luftë ndaj korrupsionit në programin qeverisës 3 vjet e gjysmë më parë”, - tha Braçe. Duket se çështja e rrugës Durrës-Kukës, çdo ditë e më shumë po kthehet në një debat politik mes mazhorancës dhe opozitës, ku si target i të djathtëve është bërë prokuroria. Mazhoranca e akuzon prokurorinë, kreun e së cilës e ka zgjedhur vetë, se po bëhet vegël politike e opozitës, ndërsa nga ana e saj opozita i kërkon mazhorancës që mos ndërhyjë në punët e prokurorisë, por të vazhdojë me hetimin e skandaleve të ministrave dhe qeverisë “Berisha”.