Basha: Banka Botërore ishte kundër projektit të Durrës- Kukës
Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, flet në emisionin “Opinion” në lidhje me akuzat që ka ngritur prokuroria ndaj tij
Blendi Fevziu
Pritet që ju të jeni si pandehur, si e gjykoni zoti Basha?
Kjo nuk është në dorën time, është në dorën e prokurorisë për të vepruar sipas ligjeve të vendit, për të çuar në gjykatë, nëse ka dyshime, por sigurisht edhe ky është një proces ligjor që ecën sipas procedurave ligjore të shtetit shqiptar. Por, me sa duket, prokuroria e ka humbur rrugën.
Përse e ka humbur?
Mendoj se ky nuk është thelb i debatit, por, siç e keni vënë re dhe nga deklaratat e avokatit tim, duket se prokuroria po kryen shkelje pas shkeljesh procedurale, e cila fatkeqësisht vërteton atë që është thënë prej shumë kohësh, që ka një motivim të thellë politik në këtë çështje.
Prokuroria pretendon se nuk ka ndonjë shkelje procedurale...
Mendoj se nuk ia vlen të futemi në këtë çështje. Është midis prokurorisë, avokatit tim dhe gjykatës.
A jeni thirrur për t’u pyetur ndonjëherë që prej vitit 2007, kur ju hoq imuniteti?
Imuniteti u hoq, pasi parlamenti mendoi se ia vlen të hiqet. Pasi Këshilli për Imunitetet konkludoi se kërkesa e prokurorisë ishte e pabazuar, por mbështetur në vullnetin tim personal, në përkushtimin e mazhorancës për t’iu përgjigjur çdo thirrjeje për heqjen e imunitetit dhe me kërkesën time dhe të kryetarit të mazhorancës, ajo votoi për heqjen e imunitetit për t’i hapur rrugë hetimeve, në mënyrë që askush mos kishte pretendimet që kjo mazhorancë i fsheh deputetët e saj nga ligjit dhe përgjegjësia.
Që prej dhjetorit 2007 e deri më sot jeni pyetur?
Që prej 12 shtatorit, kur Prokurori i Përgjithshëm atëherë ndikoi ndaj meje, unë i ofrova dëshminë time, e cila nuk u mor parasysh deri më 10 dhjetor. Në këtë datë, 18 ditë para heqjes së imunitetit, deponova vullnetarisht në Prokurorinë e Përgjithshme. Dhe nga ai moment e deri më sot nuk më është kërkuar një deponim shtesë. Çdo prezencë e imja në prokurori prej atij momenti ka qenë në funksion të zgjatjes së hetimeve dhe njohjes me dy dokumente të raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe raportit nga ekspertët.
Keni kontaktuar me zonjën Rama që nga momenti kur ajo erdhi në krye të prokurorisë?
Më 10 dhjetor, ku dy ditë më parë i dërgova një letër me kërkesën për të bërë deponimin e parë mbi këtë çështje, u takova me të në zyrën e saj për një kohë të fare të shkurtër. E më pas u takova me prokurorët e çështjes, ku kamë bërë dhe deponimin tim.
Ky ka qenë i vetmi rast në të cilin ju keni shkuar në prokurori gjatë një viti?
Ky është i vetmi rast, ku unë kam deponuar në prokurori. Në 3 apo katër raste të tjera kam shkuar, kur është kërkuar zgjatje e procedurës hetimore.
Prokuroria vendosi javën e kaluar t’ju ftonte sërish për të dhënë sqarime. Ju fillimisht pranuat të shkoni e më pas refuzuat..
Ta sqarojmë këtë çështje, se ka tri gjëra këtu që nuk qëndrojnë. Prokuroria nuk më ftoi të shkoj, por më dërgoi një fletëthirrje pas vendimit të gjykatës, ku më njoftonte se duhet të paraqitesha për t’u njohur me akuzën dhe për t’u marrë në pyetje në cilësinë e të pandehurit. Veprime që avokati im i konsideron joligjore dhe në kundërshtim me vendimin e datës 18 nëntor të gjykatës, që në mënyrë kategorike për këtë çështje penale e ndalon prokurorinë të vazhdojë hetimet përtej datës 6 nëntor. Këtu ka një diferencë, një ndryshim interpretimi, prokuroria pretendon se ky vendim ka të bëjë vetëm me zotin Anti Toma dhe Armand Teliti. Ndërkohë që duket nga vendimi i gjykatës, dhe ky është qëndrimi i mbrojtësit tim dhe i imi, se vendimi nuk ka të bëjë me personat, por ka të bëjë me çështjen penale. Dhe ka vetëm një çështje penale, është çështja që është kundër rrugës Durrës-Kukës dhe vendimi i gjykatës shtrin efektin mbi këtë çështje penale dhe organin e akuzës. Por, sa i përket pretendimit se unë në fillim kam deklaruar se do shkoja të deponoja dhe më pas jo, është një sajesë mediatike e zotit Rama. E medieve afër zotit Rama. Unë s’kam deklaruar në asnjë moment, në asnjë çast, nëse do shkoj apo jo në prokurori.
Si ka nisur ideja e rrugës Durrës-Kukës? Ishte ide e kryeministrit apo jo?
Ideja e rrugës është e vjetër, e thënë për herë të parë nga presidenti Berisha, në administratën e parë të demokratëve në ‘92-‘96. Rruga u mendua të shtrohej deri në Kukës, sepse situata gjeopolitike ishte e tillë. Ish-Jugosllavia po shpërbëhej, rreziku kryesor ishte situata e sigurisë në Kosovë. Por, pavarësisht, ekzistonte një vizion, dhe kishte një projekt të qartë dhe politik që do lidhte Kosovën me Shqipërinë në rrugën më të shpejtë të mundshme. Dhe në funksion të kësaj, me një vendim të Këshillit të Ministrave në 1994 për krijimin e fizibilitetit për rrugën Durrës-Kukës. Pastaj më vonë dihet se për motive të njohura ky projekt nuk u realizua. Rihapet diskutimi nga ish-kryeministri Majko që vuri dhe një taksë, shuma e së cilës përllogaritet deri diku te 300 milionë dollarë dhe në funksion të kësaj duhet të niste puna. Fatkeqësisht, në tetë vite qeverisje, këto pará s’u përdorën as për të përfunduar projektin teknik. Këtu duket qartë se kishim të bënim me një përplasje mes grupeve të ndryshme në mazhorancën e atëhershme të PS dhe rezultati është që për 6 vjet taksa u mblodh dhe nuk u investua as për projektin teknik. Një mungesë e qartë e vullnetit politik e PS dhe një vullnet për të mashtruar dhe shqiptarët, dhe në Shqipëri, dhe në Kosovë, pasi retorika për rrugën nuk pushoi asnjë moment, ndërkohë që nuk u ndërmor as një hap. As projekti teknik, mungesa e të cilit e bllokoi rrugën për 5-6 vjet.
Përse lindi ideja e rrugës Durrës-Kukës?
Në fushatën e 2005, PD e cilësoi projektin e rrugës si një projekt me rëndësi të madhe. U bë pjesë e pandarë e qeverisjes. Më 10 shtator 2005, ditën e dytë të qeverisjes, Banka Botërore organizoi një takim në Durrës për koordinimin e projekteve të qeverisë dhe donatorëve. Ishin të pranishëm të gjitha bankat që japin kredi të buta dhe kabineti qeveritar. Në këtë ditë, një sesion i veçantë iu kushtua infrastrukturës, ku i kërkuam BB dhe donatorëve të tjerë të na ndihmonin në realizimin e këtij projekti madhor Durrës-Kukës.
Banka Botërore ka qenë kundër, se mendonte se ky projekt nuk ishte fitimprurës?
Do t’ju tregoj historinë. BB premtoi mbështetje për projektin. Kërkoi me ngulm që të tërhiqeshim nga një tjetër projekt të ndërmarrë nga ish-qeveria ‘Nano’, atë të trenit që do të lidhte rrugën Tiranë-Durrës. Ishim në një situatë të vështirën, nga një anë kishim presion nga kjo kompani, “General Electric”, dhe presioni maksimal i BB që thoshin se, nëse ju nuk e anuloni këtë projekt, ne nuk mund të flasim për prioritetet tuaja dhe për Durrës-Kukës. Në fund ne morëm vendimin pas tre muajsh të tërheqjes nga kontrata me “General Electric”. Kur u tërhoqëm nga kontrata, biseduam me BB dhe kërkuam ndihmë për Durrës-Kukës-Morinë. Përgjigjja ishte OK, por të shikojmë si do të bëhet me dy apo me 4 korsi. Dukej qartë se po tërhiqeshin nga premtimi që kishin bërë. BB është një bankë, e cila kryesisht financohet nga vendet në zhvillim, projektet e saj financohen me kredi të buta, në zbutje të varfërisë. Pra, jo projekte gjeostrategjike. Kishte dhe faktorë të tjerë në lojë që ishin gjeostrategjikë dhe disa herë një refraktarizëm ndaj idesë së portit të Durrësit me Ballkanin, gjoja se do ndryshonte ekuilibrat gjeostrategjikë. Ekzistonte frika se disa porte të tjera të vendeve të tjera do rrezikonin. Ka pas lobim brenda BB që ishte i qartë e mirë-dokumentuar nga zyrtarët shqiptarë, që kërkonte një marrëveshje midis Tiranës, Athinës dhe Beogradit, para se të ecej me një projekt që do të transformonte portin e Durrësit, me një peshë shumë të madhe në Ballkan. Duke parë rezistencën e BB ne bëmë dy hapa. Në mars 2006, shpallëm tenderin e rrugës Kalimash-Morinë, për të treguar se e bëjmë dhe me paratë tona. I thamë BB se, nëse ata nuk marrin një vendim, ne do ecim vetëm, pa të, në ndërtimin e rrugës.
BB ishte refraktare për arsyet e kostos së rrugës apo për arsye gjeostrategjike, si thatë?
Qëndrimi zyrtar ishte se një rrugë me parametra të tillë nuk futej në prioritetet e saj.
Kur ajo e quajti të parakohshëm, pse Shqipëria e ndërmori një hap të tillë?
Shqipëria është një vend sovran dhe konsideronte aspektin gjeostrategjik, jo parametrin e BB për zbutjen e varfërisë. Ky është një projekt gjeostrategjik. Ne kishim vendim politik për ta përfunduar këtë projekt. BB në fund, pas një takimi në zyrën time, tha dakord, është vendim politik, OK. Ne kërkojmë të ecni të asistuar me ekspertë ndërkombëtarë. Ramë dakord për të nisur procesin e prokurimit.
A mund ta ndërtojë Shqipëria një projekt të tillë me pará buxheti?
Absolutisht po, ne me pará buxheti po e ndërtojmë. Ishim të sigurt se do realizohej. Përllogaritjet ekonomike tregonin se kjo rrugë kishte leverdi ekonomike për Shqipërinë. Nisëm nga studimet e ekspertëve. 2 ekspertë së fundi bënë studime fizibiliteti ekonomik në 3 vitet e fundit. Të dy arritën në përfundim se mos-ndërtimi i rrugës i sjell dëm vit për vit Shqipërisë prej 80 milionë eurosh. Ekzistenca e aksit rrugor do i sillte ekonomisë shqiptare 200 apo 250 milionë euro dhe pozicioni ekonomik tregtar dhe politik i Shqipërisë karshi vendeve të rajonit, dhe Evropës; dhe Kosova ka leverdi në këtë rrugë disa herë më shumë. Të gjitha ngjarjet shpalosen në zhvillime të shpejta në Kosovë. Lidhja e Kosovës me një rrugë me parametra evropiane, për në portet detare të Shqipërisë, merrte një rëndësi puro strategjike. Ka një leverdi të qartë ekonomike dhe strategjike.
Në dy kompanitë që morët, një nga BB dhe një nga qeveria, për sa vite shlyhet kjo rrugë?
Sipas analizave, rruga ka një rikthim të vlerës së investimit në 14% në vit. Me vlerë quhet çdo projekt që arrin në 5%.
Si një projekt me kaq vlerë, pse asnjë kompani nuk futet për ta marrë me koncesion?
Të mos të futemi në një terren spekulativ. Koncesioni është një figurë shumë e vështirë ligjore për t’u futur në një vend të vogël, me një numër të vogël automjetesh. Asnjë ndërtim rruge s’ka pas sukses e leverdi në Ballkan dhe Evropë. Kërkon fluks të madh automjetesh. Ajo që kjo rrugë arrin është se nga Prizreni në Tiranë një automjet do udhëtojë për 1 orë e 45 minuta në një kohë që tani është 5 orë.
Ju thoni se s’ka leverdi që rrugët të jepen me koncesion, ndërkohë që ka një vendim nga qeveria ‘Berisha’ për t’i dhënë; po jepet me koncesion Tuman Rrogozhinë..
Kam dyshimet e mia mbi këtë rast. Jam skeptik për suksesin e atij projekti. Ndërtimi i një rruge me koncesion më duket i parealizueshëm.
Konkurruan tri projekte për rrugën Durrës-Kukës, përse u zgjodh projekti më i shtrenjtë dhe i vështirë me një tunel 5.7 km të gjatë?
Ka pasur tri versione. I pari që kalon në luginën e Drinit, i dyti Milot -Rrëshen dhe Kalimash-Morinë, dhe i treti është ky që shmang malet e Pukës. Nga këto tri versione Këshilli Teknik i rrugëve zgjodhi me unanimitet që në kohën e Majkos, zgjodhi të tretin. Më i shtrenjti në investim në ndërtimin e një tuneli që është më i gjati në Ballkan.
Ka mundësi Shqipëria të ndërtojë një tunel të tillë?
Shkoni në Kalimash e shikojeni. Çdo dollar euro dhe lek që po hidhet në këtë rrugë do ta lajë veten shumë shpejt. Për çdo vit që rruga nuk ndërtohet, vendi ka humbje të mëdha të nivelit ekonomik dhe gjeostrategjik. Ndërtimi do të ndryshojë tërësisht Shqipërinë.
Pse për 3 vjet ndërtimi, që të ishte në prag të zgjedhjeve elektorale?
Dy kanë qenë arsyet e marrjes së vendimit që rruga të ndërtohet për tre vjet. I pari për arsye ekonomike, se humbja është e madhe, kur për çdo vit, po nuk u ndërtua rruga, humbja është e madhe. Së dyti, situata gjeostrategjike. Në pamundësi, mund t’i thoshim Kosovës prisni 4 apo 10 vjet. Por vullneti i qeverisë për ta ndërtuar sa më shpejt, i shërben interesave të Shqipërisë dhe të kombit.
A janë anashkaluar procedurat e tenderimit të shtetit shqiptar?
Absolutisht jo. Në bazë të ligjit të prokurimeve Këshilli i Ministrave ka ushtruar funksionin në bazë të ligjeve dhe ka zhvilluar procesin e tenderimit më transparent që është ndërmarrë ndonjëherë.
Ndërtimi i rrugës kërkon një projekt përfundimtar, pse nuk e ka ende? Të paktën zyrtarisht rezulton se mungon. A mund të ndërtohet një rrugë pa projekt përfundimtar?
Asnjë cm katror nuk po lëvizet apo investohet pa projekt. Mungesa e projektit Rrëshen-Kalimash ishte veprimi më kriminal i ish-mazhorancës së PS. Bota perëndimore vepron sipas mënyrës projektim-ndërtim. Pra, një rrugë ndërtohet pa u përfunduar tërësisht projekti. Është një mundësi që të jep rastin të fillosh dhe para se të përfundojë projekti, sepse koha është flori, akoma më shumë kur bëhet fjalë për vepra publike. Kjo metodë përdoret për të korrur sa më shpejt rezultatin.
Keni idenë sa do kushtojë rruga?
Është e vërtetë, nuk dihet. Nuk ka asgjë të çuditshme, as kriminale. Është rrjedhoja e vendimit të marrë për ndërtimin e rrugës. Kemi një ide të përafërt sa mund të jetë, është diku te 580 -620 milionë euro. Detyra e qeverisë është të përpiqet ta mbajë koston nën kontroll.
Si do e mbani, kur kosto e betonit që përdoret është disa herë më e lartë, kur nuk deklarohet TVSH etj?
Janë të njëjtat shpifje si të Ramës që ri-qarkullojnë. Ata që kanë bërë këto shpifje, do përgjigjen. Vlera e projektit është subjekt i dy kompanive që janë marrë. Procedurat që ka ndjekur Ministria e Transporteve dhe qeveria janë transparente. Kosto e rrugës nuk do të jetë absolutisht më e lartë se rrugë të krahasueshme me rrugë të ngjashme në Ballkan.
Çmimi synohej të ishte rreth 430 milionë euro para projektit, pas përfundimit të projektit çmimi është rritur 70% e vazhdon të rritet. A rrezikon të shkojë në 1 miliard?
Po spekuloni mbi çështje teknike. Qeveria ka marrë masat për supervizimin dhe financimin e rrugës.
Kur nuk ka shifër të saktë sa do të kushtojë rruga, a nuk lë vend për abuzim?
Si mund të abuzohet, kur projekti bëhet nga projektuesit, një italian një francez?! Projekti ekzekutohet nga një firmë e zgjedhur me tender ndërkombëtar, supervizohet. Ku bëhet abuzimi këtu? Të lëshojmë fjalë në erë, vetëm sepse prokuroria dhe segmente të Partisë Socialiste bëjnë sikur s’e kuptojnë, është kriminale. Nuk kemi shkelje të procedurave të shtetit shqiptar. Firma “Ecorys” u rekomandua nga BB, u zgjodh me prokurim të drejtpërdrejtë, e qarkullon thashethemi se është një firmë holandeze dhe unë kam kryer studimet aty, e ka konflikt interesi. U përzgjodh nga ekspertë të BB, nuk e njihja më parë si kompani. Opinioni publik është helmatisur me aludime se unë kam lidhje me të, se kam qenë student në Holandë. Ka dëshmitar fizik, krye-ekonomisti i BB që ta pyesë, nëse versioni im është i vërtetë apo jo. Prokuroria s’ka denjuar ta marrë në pyetje.
Në projektin teknik të paraqitur për Rrëshen-Kalimash mungon oponenca teknike, që është detyrim ligjor...
Në ligjin për prokurimin publik, në nenin 3 qeveria shqiptare nxjerr vendim. Në këtë vendim thuhet se lejohet Drejtoria e Rrugëve të nisë projektimin me ritme të përshpejtuara. Mënyra e parë ishte mënyra klasike, mënyra e dytë me tender të drejtpërdrejtë, mënyra e tretë e prokurimit përcaktohet nga neni 3. Ky vendim është ligji që është zbatuar pikë për pikë në këtë rast. “Bechtel” ka qenë një nga katër ofertuesit.
A ishte përzgjedhur paraprakisht firma “Bechtel”?
Kemi një procedurë të qartë se çfarë përfaqëson kjo ofertë. Është përzgjedhur sipas një tenderi transparent. Kushtet i përcaktoi një komision i përbashkët ndërkombëtar. Ligji thotë 5 anëtarë të një jurie ndërkombëtare dhe nuk është e domosdoshme që të kishte një shqiptar.
Nuk mund të gjendej një tjetër?
Që ta zëvendësosh, duhet të bësh një tjetër vendim të Këshillit të Ministrave.
Si shpjegohet që në dokumente shkruhet në gjuhën angleze, a është kjo një shkelje ligji?
Jo, nuk është një shkelje ligji. Kjo ka të bëjë me shkallën e ulët të mosbesimit te sistemi gjyqësor shqiptar, për këtë arsye, investitorë të huaj zgjedhin një anë ligjore që parashikon një kontratë paanshmërie me sistemin shqiptar.
A janë çmimet-njësi më të larta se ato të tregut?
Cilat janë çmimet-njësi normale të tregut?!
Kjo rrugë që ju po ndërtoni, mund të ngelë në rrugën e Morinës, sepse me buxhetin aktual palës kosovare i duhet 10 vjet për ta përfunduar, është e vërtetë?
Unë e njoh pak situatën, ka një avantazh, nuk ka një qeveri që bllokon 8 vjet me radhë projektin, menjëherë pasi institucionet u ndërtuan, Ministria e Transporteve autorizoi projektin e plotë Merdare-Morinë. Një kompani që ka përdorur teknologjinë më të fundit dhe ka nxjerrë një vlerë të përafërt prej 1 miliard dollarësh, me një tunel të shkurtër rreth 1 kilometër. Ata e kanë të hapur rrugën, ky është buxheti i parë i Kosovës së pavarur, buxheti i tyre shkon 1.5 miliardë dollarë. Duke e parë që projekti është i përfunduar, ato do ta kenë shumë më të lehtë të investohet edhe për pjesën tjetër të rrugës.
Ndërkohë që rruga po mbaron, porti i Durrësit ende është i papërfunduar, si mund të nxjerrë kjo fitimet, kur nuk është shpenzuar në këtë port?
Duhen parë ambientet e ardhshme të portit, për momentin edhe për një periudhë 2-vjeçare do të përballojë shtimin e punës që do të ketë.
Si shpjegohet që në këtë rrugë, që qenka kaq fitimprurëse dhe që nuk qenka vjedhur asnjë gjë, prokuroria është kaq agresive me ju?
Le të themi, cila është arsyeja që ky projekt, i cili ka këtë leverdi në gjeostrategjinë shqiptare. I pari në valle është Edi Rama dhe jo prokuroria shqiptare.
Cili është interesi?
Interesi është i shumëfishtë...
Që është?
Së pari, rruga Durrës-Kukës bashkon shqiptarët, por edhe ndan disa shqiptarë nga shqiptarët e tjerë.
Çfarë do të thotë kjo?
Njerëz që në vijën e tyre politike, korrupsionin dhe vjedhjen e kanë pasur metodë pune 8 vjet në pushtet, kjo vepër i nxjerr lakuriq përpara shqiptarëve. Që do të thotë, nëse ne për 3 vjet arrijmë ta mbarojmë rrugën, pse ata në 8 vjet s’e bënë dot? Kjo do të thotë, nëse dikush ka qenë kryetar bashkie dhe ka pastruar parqe e kioska, dhe ato i ka pastruar me paratë e Ilir Metës, nuk ka më faqe të dali përpara shqiptarëve, një njeri që ka prerë çdo 100 metra nga 10 herë. Kjo rrugë e nxjerr para shqiptarëve lakuriq Edi Ramën si bllofist. Karrierën e tij politike e ka bërë me një marketing shumë të shtrenjtë që është paguar nga paratë e shqiptarëve. Ky është elementi politik
Nuk po ju sulmon Edi Rama, po ju sulmon Prokuroria e Shqipërisë, ka një ekspertizë të KLSH, opozita thjesht ka bërë publike...
Opozita është ajo që ka nisur këtë rrugë. E dyta është ajo që ka pasur gjithmonë një bashkëpunimin tim, prokuroria ka zgjedhur të injorojë dhe të kryejë në mënyrë të pafalshme një hetim. Zoti Edi Rama dhe mercenarët e tij kanë një pjesë të madhe të përgjegjësisë.
A keni ju mbështetjen e plotë të kryeministrit në këtë hetim?
Absolutisht.
A keni frikë se mund të dënoheni deri me heqjen e lirisë për këto shkelje?
Nuk kam asnjë fije frikë. Ju thashë edhe njëherë, njeriu nuk mund të mohojë atë që është.