E Shtunë, 31 Tetor 2026

Askush si Juventusi

Vetëm një humbje në 13 muajt e fundit. Askush në mesin e 32 skuadrave të edicionit të sivjetmë në Ligën e Kampionëve nuk ka bilanc më të mirë se Juventusi. Kampioni i Italisë, prej kur Antonio Conte mori drejtimin e ekipit, ka pësuar vetëm një herë në plot 48 ndeshje, prej të cilave ka fituar 30 duele.

Italia në futboll ende ngjallë frikë për skuadrat e mëdha ndërkombëtare. Kujtojmë se Azzurrët dolën në pozitën e dytë në Euro 2012, kurse falë Juventusit është konkurrente edhe në garën elite të klubeve evropiane - Ligën e Kampionëve.

Bianconerët përmbysën disavantazhin e dy golave duke barazuar me kampionin në fuqi Chelsea, duke shfaqur lojë dhe personalitet, e madje kërcënuan edhe të dalin triumfues nga Stamford Bridge. Me rëndësi, Juventus ruajti serinë e jashtëzakonshme, që bën që ata të veçohen nga gjithë 32 skuadrat e tjera pjesëmarrëse në Ligën e Kampionëve.

Trembëdhjetë muaj, prej kur Antonio Conte mori drejtimin e ekipit, vetëm një humbje në 48 ndeshje, 30 fitore, 17 barazime. E vetmja disfatë erdhi nga Napoli në finalen e Coppa Italia. Pas Bianconerëve vjen Barcelona me pesë humbje në trembëdhjetë muajt e fundit, edhe pse nuk duhet harruar se katalanët kanë zhvilluar plot 71 ndeshje, duke llogaritur se pothuajse gjithmonë kanë shkuar deri në fazën përfundimtare të Ligës së Kampionëve.

Real Madridi i Jose Mourinhos është ndalur tetë herë, Paris Saint-Germain i përcjellë me nëntë, Bayern Munichu me njëmbëdhjetë, Manchester United dhe fqinji Manchester City pasojnë me dymbëdhjetë. Të gjitha këto skuadra që kanë luajtur më shumë ndeshje se Juventusi, që megjithatë ka serinë më të mirë të rezultateve të njëpasnjëshme pozitive në kampionat: 42 kundër 31 të Borussia Dortmund, që është e dyta.

Kampionati për skuadrën e Contes do të hyjë në një fazë të nxehtë. Të shtunën mbrëma në Torino vjen Chievo. Më pas skuadra të martën do të paraqitet në udhëtim te Fiorentina e përforcuar, kurse në fundjavën e ardhshme pret Romën.

Tri takime brenda një jave, duele shumë të rëndësishme për konfirmimin e statusit të kampionit në fuqi dhe konkurrentit kryesor për titull edhe në edicionin e ri. Gjiganti torinez është gjithnjë e më afër rekordit historik të Milanit të Capellos, që mes 1991 dhe 1993 shënoi seri prej 58 rezultateve të njëpasnjëshme pozitive në kampionat: nëse Juventusi e mbyll pa humbje fazën e grupeve, do ta tejkalojë atë.

Ende nuk ka sinjale brengosëse pasi skuadra ka përforcuar edhe bankinën gjatë afatit kalimtar të verës. Kur gjendet në disavantazh ose mbyll pjesën e parë në barazim, reagimi është i menjëhershëm. Dominon pjesëfushën kundërshtare dhe kryen punën me lehtësi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›