89-shi kërcënon liderin

Derbi i xhiros së gjashtë i Superligës së Kosovës në futboll do të zhvillohet të shtunën në kryeqytet, ku kampioni aktual Prishtina do të përballet me nënkampionin dhe fituesin e Kupës dhe Superkupës, Trepçën ’89.
Ky takim pritet të jetë shumë interesant, pasi bëhet fjalë për një përballje mes dy ekipeve më të mira aktualisht në vend, të cilat edhe në edicionin e kaluar ishin në luftë të rreptë për titull të kampionit.
Madje, ky duel mund ta përcaktojë një lider të ri në Superligë. Vendin e parë aktualisht e mban Prishtina me 13 pikë, dy më shumë sesa mitrovicasit, të cilët nëse fitojnë, do ta lënë ekipin prishtinas prapa vetës.
Mirëpo, trajneri i bardhekaltërve është i bindur se djelmoshat e tij nuk do ta lejojnë ekipin gjelbër e bardh t’i rrëzojë nga pozita e parë.
“Në këtë takim të tria rezultatet janë të mundshme. Mirëpo, sikurse për çdo ndeshje, unë jam optimist se do ta fitojmë edhe këtë përballje. Edhe barazimi nuk do të ishte ‘tragjik’ për ne, por e kemi një rast që me fitore të shkëputemi në pesë pikë prej ekipit të dytë. Andaj, është mirë ta shfrytëzojmë këtë mundësi”, tha Ejup Mehmeti – Kapiti.
Mirëpo, trajneri i ‘Xehetarëve’ i paralajmëroi bardhekaltrit se nuk do ta kenë lehtë ta arrijnë këtë objektiv përballë djelmoshave të tij, ngase edhe ata do të tentojnë që me fitore ta rrëmbejnë kreun e tabelës.
“Realisht Prishtina është favorite, sepse përveç që luan si vendase, ka edhe cilësi më të madhe dhe fond më të pasur me futbollistë. Megjithatë, po tregohemi se jemi një skuadër stabile dhe kjo më shtyn të besoj se do të kalojmë mirë në kryeqytet. Objektiv e kemi atë që mos të humbasim dhe në këtë kontest sigurisht se do të provojmë edhe të fitojmë”, tha Gani Sejdiu.
Ky takim nis në orën 15:00, derisa në të njëjtën kohë në Kastriot, Ferronikeli do të përballet me Hysin, derisa në Therandë, Liria do ta pretë Drenicën. Të dielën Llamkos Kosova synon t’u kthehet fitoreve përballë Besës, kurse Vëllaznimi do ta sfidojë Dritën.
Superliga – Xhiroja e gjashtë:
E shtunë
Prishtina – Trepça ‘89
Ferronikeli – Hysi
Liria – Drenica
E diel
Ll. Kosova – Besa
Vëllaznimi – Drita
Të gjitha ndeshjet fillojnë në orën 15:00