Zonjusha ‘Ibrahimoviç’

Paris Saint-Germain po bëhet gati për një revolucion të ri. Pas shumë përforcimeve të bëra nga skuadra franceze në krye me Zlatan Ibrahimoviçin, tani bosët e klubit po synojnë ta përforcojnë edhe skuadrën e femrave.
E përditshmes suedeze Sportbladet të premten shkruante se Paris Saint-Germain synon të ndërtojë ekipin më të mirë në botë me Kosovare Asllanin si lidere e ekipit. Sipas kësaj gazete, parisienët pas Zlatan Ibrahimoviçit duan ta kenë në ekipin e femrave edhe zonjën ‘Zlatan’, duke iu referuar sulmueses kosovare.
Pronarët e Paris Saint-Germain, të cilët janë nga Katari, kanë derdhur mbi 200 milionë euro në blerjet për ekipin e meshkujve, ku sollën yjet si Ibrahimovic, Silva, Pastore, Lavezzi e të tjerë. Tani ata duan ta përforcojnë edhe ekipin e femrave.
Sipas informacionit të dhënë për Sportbladet, klub ka plane të avancuara për të ndërtuar të gjithë ekipin rreth sulmueses kosovare, e cila aktualisht luan me ekipin suedez Kristianstad.
“Ne tashmë kemi Ibrahimoviçin, por tani duam që edhe në ekipin e femrave ta kemi një udhëheqëse”, ka thënë një burim brenda klubit francez për Sportbladet.
Në anën tjetër, anëtarja e përfaqësueses së Suedisë ka mbetur e habitur me ofertën e ofruar nga skuadra franceze.
“Natyrisht, kjo është një mundësi e madhe për mua, sepse PSG po ndërton një projekt të madh. Ata kanë treguar me të vërtetë se ata duan të bëjnë një përpjekje të madhe dhe të më kenë mua në ekip. Ata duan të jenë një nga klubet më të mëdha në botë. Për mua kjo është një mundësi e madhe për të luajtur atje. Unë dua që të shkoj atje. Nuk ka dyshim për këtë”, ka deklaruar ajo.
Por, sipas Sportbladets, ëndrrën e Kosovares mund ta prishë klubi aktual i saj Kristianstad, i cili të enjten ka refuzuar ofertën e PSG’së. Situata është ndërlikuar pasi afati kalimtar për femra në futbollin francez mbyllet të dielën, derisa kërkesat e suedezëve për ta liruar Kosovaren janë shumë të mëdha.
23 vjeçarja me prejardhje nga Mitrovica karrierën e kishte filluar te skuadra suedeze Vimmerby IF. Në vitin 2007 ajo ishte transferuar te ekipi tjetër suedez Linkopings, ku gjatë dy viteve sa qëndroi, bëri emër duke fituar trofe e po ashtu u ftua edhe nga përfaqësuesja e Suedisë.
Në vitin 2010 Asllani pati një rënie të vogël në karrierë, pas transferimit te klubi amerikan Chicago Red Stars, ku nuk e gjeti veten. Vetëm pas një viti, sulmuesja kosovare u rikthye te Linkopings, ku riktheu formën dhe më pas u transferua te klubi tjetër nga Suedia, Kristianstads, ku luan edhe sot.