E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandali në Çeki, Bekim Bala: Po na njollosin!

CEKI - Nuk është ndier aspak mirë dhe, në një farë mënyre, nuk e fsheh edhe zhgënjimin kur dëgjon të përflitet për shqiptarë që trukojnë futbollin ku ai aktivizohet. Ndonëse në grumbullim me ekipin në Francë, pak orë para zhvillimit të ndeshjes së Ligës së Europës kundër Lionit, Bekim Bala pohon se lajmi i trukimit të kampionatit çek ka qenë shokues jo vetëm për të, por edhe për lojtarët e tjerë të Spartës. Në fakt, ka qenë vetë presidenti i këtij klubi, Daniel Kretinski, ai që ka denoncuar tri ditë më parë për implikimin e mafies shqiptare, ndaj edhe bisedat rreth kësaj teme kanë qenë të shumta edhe mes lojtarëve. I kontaktuar nga “Panorama Sport”, sulmuesi i përfaqësueses Shpresa ka shprehur gjithë indinjatën e tij për imazhin e keq që po i jepet Shqipërisë, duke theksuar ndërkaq se do të bëjë të pamundurën që të shkëlqejë me Spartën për t’u treguar të gjithëve anën tjetër të medaljes së shqiptarëve. “T’ju them të drejtën, edhe unë sot (dje) e kam marrë vesh si lajm dhe më vjen realisht keq që emri ynë, i Shqipërisë, përdoret më së shumti për keq. Sigurisht, ne si futbollistë nuk kemi arsye se përse të identifikohemi me të keqen, por nga ana tjetër nuk ndihemi mirë që në Europë flitet kryesisht negativisht për shqiptarët. Gjithsesi, unë kam ardhur te Sparta për të dhënë maksimumin e mundshëm dhe do bëj të pamundurën që në çdo ndeshje të jem protagonist dhe t’u tregoj të gjithëve anën tjetër të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Në skuadër e kanë komentuar si diçka negative dhe, për më tepër, ngaqë u zbulua në njëfarë mënyre nga presidenti ynë. Jua thashë, më vjen keq dhe inat që përmendemi vetëm negativisht. Nuk di ç’të them më shumë, pasi problematika e basteve është e ndjeshme kudo, jo vetëm në Çeki, por edhe në kampionate më prestigjioze të Europës”, shprehet Bala. Sulmuesi shkodran ka arritur që të jetë deciziv në të paktën dy ndeshje me Spartën, duke i dhënë 6 pikë ekipit. Hera e fundit që shënoi ishte në ndeshjen ndaj Hradec Kraloves, në të cilën Bala sigloi një gol trepikësh në minutën e 38-të të pjesës së parë.
Si e trukon mafia shqiptare futbollin çek
“Panorama Sport” publikoi një ditë më parë një lajm shokues, i cili lidhte implikimin e shqiptarëve në trukimin e ndeshjeve të kampionatit çek të futbollit. Tri ditë më parë, presidenti i klubit të Spartës së Pragës, Daniel Kretinski, një biznesmen shumë i fuqishëm në vendin e tij, ka paraqitur në Federatë një dosje me të dhëna që, sipas tij, tregonin qartë se mafia shqiptare komandonte shumë ndeshje të futbollit çek, madje edhe ato të disa skuadrave elitare. Kjo gjë, sipas së përditshmes çeke “isport.cz”, bëhej e mundur nëpërmjet korruptimit me shifra të majme të gjyqtarëve vendas çekë. Kretinski ka shpërthyer në akuza ndaj gjyqtarëve, menjëherë pas ndeshjes mes Viktoria Plzenit dhe Spartës së Pragës. Një ditë më pas ai ka depozituar dosjen në Federatë. Sipas një burimi anonim që ka folur për të përditshmen “isport.cz”, nuk janë vetëm gjyqtarët të korruptuar, pasi ata shpeshherë vepronin në bashkëpunim edhe me futbollistët.

(er.nu/panorama/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›