Asllani, gati për Olimpiadë

Kosovare Asllani ka filluar përgatitjet me përfaqësuesen e Suedisë, e cila nga 27 korriku e deri më 12 gushtë do të marrë pjesë në Lojërat Olimpike ‘Londra 2012’.
Paraqitjet e mira me ekipin Kristianstad në elitën e futbollit suedez e kanë shpërblyer sulmuesen kosovar me një ftesë nga selektori i Suedisë, Thomas Dennerby.
Përfshirja në ekipin olimpik suedez e ka gëzuar Kosovaren, e cila një vit më parë ishte shumë e zhgënjyer pasi nuk arriti të marr pjesë në Kampionatin Botëror shkaku i një
lëndimi në gju.
Ish futbollistja e ekipit suedez Linkopings tani i ka synimet e qarta. Futbollistja me prejardhje nga Mitrovica synon të luajë nga minuta e parë për Suedinë në Lojërat Olimpike.
“Jam në formë të mirë dhe do të bëj gjithçka për të siguruar një vend në formacionin bazë të ekipit”, ka thënë 22 vjeçarja në një intervistë për të përditshmen suedeze fotbollsexpressen.se.
Allsani, e cila vitin e kaluar kaloi një rrugë të vështirë pas lëndimeve të njëpasnjëshme, ka filluar ta marrë veten pas transferimit te skuadra suedeze Kristianstad. “Unë kisha shumë lëndime më parë, por këtë vit kam marrë veten dhe ndihem më të vërtetë mirë, theksoi ajo.
Fotbollsexpressen.se shkruan se shanset e Kosovares që të luajë në ‘Londra 2012’ janë rritur shumë, pasi ekipit suedez do t’i mungojë futbollistja e njohur suedeze Therese Sjogran.
Sipas kësaj gazete, stili i lojës së 22 vjeçares mund të jetë i dobishëm për ekipin suedez. “Unë nuk kam absolutisht asnjë vend të sigurt në skuadrës”, ka përfunduar Asllani.
Ajo debutoi në ekipin kombëtar të Suedisë në vitin 2008 dhe mori pjesë në Kampionatin Evropian, derisa deri në vitin 2010 Kosovarja ishte pjesë e rregullt e ekipit A suedez.
Por, në vitin 2011 shkaku i lëndimeve nuk u ftua fare për Kampionatin Botëror. Tani mitrovicasja është rikthyer përsëri në përfaqësuesen suedeze.