Asnjë amendim për tiu afruar standardeve
Projektligji i ri për Shërbimin Informativ vijon të krijojë debate politike mes dy forcave kryesore në vend. Deputeti socialist, Ilir Gjoni, anëtar i Komisionit Parlamentar të Sigurisë, deklaroi dje se shumica po procedon në mënyrë të fshehtë me draftin në fjalë, të cilin e ka kaluar për miratim në seancën e datës 22 korrik, pa dijeninë e PS-së. “Ligji është planifikuar të kalojë për votim në seancën e 22 korrikut, ndërkohë që asnjë amendament nuk i është bërë për ta sjellë atë në standardet e NATO-s, aleancës ku për pak rrezikuam pezullimin e anëtarësisë sonë”, tha Gjoni dje për mediat televizive. Ndërkohë, pretendimet e tij për votim të draftit në datën 22 janë hedhur poshtë nga Kuvendi, duke iu referuar edhe vendimit të marrë në konferencën e kryetarëve. Diskutimi për këtë projekt rikthehet pas pezullimit të para disa javëve të një nisme tjetër, e cila provokoi edhe reagime ndërkombëtare. Akuza e opozitës në këtë rast ngrinte dyshimin se qeveria synonte kontrollin e shërbimit, për ta kthyer atë në praktikën e viteve ’90.
#