Asnjë arrestim për vrasjen e Enver Zymerit

Për vrasjen e Enver Zymerit , polic i ROSU, prokuroria e qarkut në Mitrovicë bashkë me atë të EULEX’it kanë identifikuar gjashtë persona si të dyshuar.
Të gjithë ata janë shtetas të Kosovës të nacionalitetit serb, ndaj të cilëve është lëshuar fletarrest vendor.
Përveç tyre, lidhur me këtë rast janë marrë në pyetje edhe dy persona të tjerë, njëri serb dhe tjetri shqiptarë, veturat e të cilëve prezentë në bllokimin e rrugëve në veri në fund të muajit korrik janë konfiskuar dhe po ekzaminohen.
Lidhur me mundësinë për lëshimin e fletarresteve ndërkombëtarë për këta gjashtë të dyshuar, kryeprokurori i prokurorisë së qarkut në Mitrovicë, Shyqeri Syla dhe Meta Amin, udhëheqëse e prokurorëve të EULEX në Mitrovicë thanë se janë duke u shqyrtuar mundësitë.
Duke mos dashur të dëmtojnë hetimet, zyrtarët e organit të akuzës nuk deshën të japin emrat e gjashtë të dyshuarve për vrasjen e policit të ROSU-s dhe as detajet e tjera dhe se të njëjtit dyshohet se janë në Kosovë apo janë arratisur jashtë shtetit.
Ata thanë që hetimet janë duke vazhduar në mënyrë intensive.