Bushi nuk shfajësohet
01/03/2005 Një lojtar i madh nuk dallohet vetëm kur fiton, por edhe kur humbet. Kjo aksiomë është vërtetuar edhe në rastin e Alban Bushit. Sulmuesi i Kombëtares nuk u përpoq që të fshihej pas justifikimeve, për paraqitjen e tij të dobët në Lushnjë. “Më vjen keq që nuk realizova asnjërin nga dy objektivat që kisha për këtë ndeshje, tha sulmuesi kuqezi. As skuadra nuk fitoi, por as unë nuk shënova. Do të dëshiroja që ta kisha ndihmuar në maksimum skuadrën time, në këtë debutim në Superligë pas kaq vitesh, por nuk ia arrita”. Bushi e pranoi se barazimi i Lushnjës i krijoi një dizavantazh bluve ndaj Vllaznisë, por nuk është pesimist. “ Ne do të vazhdojmë që përpiqemi, për të kapur vendin e tretë. E dimë që është e vështirë, por gjithçka është e mundur në se ne fitojmë ndeshjet që vijojnë. Shpresoj që të ndihmojë sa më shumë ekipin tim në të ardhmen”. Sa për të ardhmen e tij në Superligë, ai theksoi se do të luajë vetëm këto ndeshje që ka kontratë dhe se e karriera e tij ka për të vazhduar jashtë kufijve të Shqipërisë. “Në merkaton e verës do të kem kohën e duhur që të kërkojë një skuadër cilësore në një kampionat të huaj, pasi ambiciet e mia janë akoma shumë të mëdha”.