E Hënë, 2 Nëntor 2026

Policia: “Astrit Daka dyshohej për helmimin e gruas”

02/03/2005  Dëshmia e shefit të krimeve në prokurorinë e Tiranës

Shefi i krimeve pranë Komisariatit nr.4, Artan Çuko, ka dhënë në Prokurori të gjitha shpjegimet lidhur me vetëvrasjen e Astrit Dakës, disa ditë më parë në zyrën e tij. Burime nga organi i akuzës, thanë dje për gazetën se Çuko ka pohuar se, posa ishte kthyer nga Shkodra dhe Lezha, ku kishte qenë për çështje të ndryshme pune, kur është njoftuar nga vartësit për shoqërimin e Dakës. Ai ka pohuar se u kishte thënë që t’ia sillnin në zyrë Astrit Dakën. “Fillimisht i sqarova se nuk kishte asnjë problem për shoqërimin, pasi m'u duk i shqetësuar”, ka pohuar Çuko para hetuesve. “Pastaj e kam pyetur për vendndodhjen e vëllait të tij të arratisur, Bujar Daka, por ai u shqetësua më tepër. Më tha se ndihej keq, pasi gruaja i kishte vdekur vetëm katër ditë më parë nga fostoksina, vëllai ishte në kërkim dhe për shkak të shoqërimit në komisariat. I ofrova një gotë ujë dhe i thashë të qetësohej, ndërsa vetë hoqa xhaketën dhe shkova ta vë te varësja. Në këtë moment, Daka më rrëmbeu pistoletën nga brezi dhe e shkrehu në kokën e tij”. Këto kanë qenë fjalët e shefit të krimeve para hetuesve të Prokurorisë së Tiranës. Ndërsa ka hedhur dyshimet mbi pozicionin e Dakës për vdekjen e të shoqes. Kjo, pasi nga informacione operative kishin lindur dyshimet se Astrit Daka mund të kishte gisht në vdekjen e bashkëshortes, pasi edhe familjarët e saj akuzonin Dakën se u kishte helmuar të bijën. Gjithashtu kishte informacione se Astriti kishte strehuar në banesën e tij të vëllanë e arratisur nga burgu, Bujar Dakën dhe se e shoqja kishte qenë kundër këtij fakti. Madje, nga informacionet operative dyshohet që ajo t’i ketë thënë Dakës së do të tregonte në polici. Për këtë shkak ai survejohej nga agjentët që prej vdekjes së të shoqes. Dhe ditën që u kap në Vorë, policia kishte marrë informacione se edhe ky si i vëllai po tentonte të arratisej. Dhe gjithë këto dyshime ndaj tij, duket se e kanë rënduar gjendjen psikike pas shoqërimit në komisariat. Burimet e Prokurorisë thonë se hetimet janë përqendruar në një vetëvrasje të tij dhe se po kryejnë të gjitha verifikimet e mundshme. Por pritet rezultati i ekspertimit të gjurmëve të gishtërinjve të gjetura në pistoletë, për të konkluduar zyrtarisht, përfundojnë burimet e organit të akuzës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›