E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vetëvrasja e Violetës, psikologët vlerësim ndikimit të “Jehovait”

02/03/2005  Deklarimet e familjarëve mbi personalitin e saj do të ballafaqohen me konkluzionin e specialistëve

Prokuroria e Tiranës do të kërkojë ndihmën e psikologëve dhe të sociologëve për shqyrtimin e materialeve fetare që ka lexuar 28-vjeçarja Violeta Aga, e cila masakroi veten me një thikë në bark dy ditë më parë. Specialistët e këtyre dy fushave do të jenë në rolin e ekspertëve, për të konkluduar në ndikimin që kanë patur literaturat fetare që janë sekuestruar në banesën e 28-vjeçares. Kjo, pasi nga verifikimet paraprake rezulton që të ketë citime të shkrimeve, ku theksohet se pas vdekjes njerëzit mund të fitojnë parajsën. Gjithashtu do të pyeten të gjithë familjarët e Agës lidhur me personalitetin dhe problemet që ajo mund të ketë pasur.

Ekspertimi

Burime nga organi i akuzës së rrethit Tiranë, thanë dje për gazetën “Metropol”, se do të verifikohen dhe ekspertohen të gjitha materialet e revistave fetare të sektit të “Jehovait”, që lexoheshin nga Violeta Aga. Ekspertimi do të kryhet në sensin e ndikimit psikologjik që ka pasur kjo ideologji fetare në personalitetin e të vetëvrarës, sqaruan burimet. Për këtë arsye do të pyeten psikologë, të cilët do të njihen me tekstet e këtyre revistave dhe konkretisht vëmendja do të përqendrohet në ato që janë përkthyer nga viktima. Burimet e Prokurorisë theksuan se, paralelisht do të merren në pyetje të gjithë familjarët e saj, me qëllim njohjen e personalitetit të saj. Do të hetohet mbi ndonjë shqetësim apo konflikt që ajo mund të ketë pasur kohët e fundit me familjarët. Ndonëse këta të fundit paraprakisht kanë deklaruar në Prokurori se kanë pasur marrëdhënie të mira dhe nuk kanë parë te Violeta ndonjë problem shqetësues, veç faktit që ajo ishte tip i ndjeshëm. Gjithashtu do të pyeten lidhur me kohën që Violeta frekuentonte këtë sekt fetar dhe ndikimin që kishte pasur kjo ideologji tek ajo. Burimet thonë se në bazë të këtyre dëshmive të të afërmve dhe të njohurve të saj, do të konkludohet se sa e lidhur ka qenë ajo me këtë sekt dhe a ka predikuar këtë literaturë te njerëzit që e rrethonin.

Hetimi

Hetuesit shprehen se hetimi do të përqendrohet mbi verifikimin e personalitetit të viktimës dhe konkluzionit që do të nxjerrin specialistët e fushës së psikologjisë mbi ndikimin e këtyre sekteve fetare. Gjithashtu do të verifikohet edhe reagimi që ajo ka pasur, kur është njohur nga mediat me rastet e të vetëflijuarave që kanë qenë frekuentuese të këtyre sekteve. Pas konkludimit mbi personalitetin e saj, problemeve dhe konflikteve të mundshme që ajo mund të ketë pasur, do të bëhet ballafaqimi me rezultatin e përcaktuar nga psikologët, lidhur me ndikimin e literaturës fetare që Violeta kishte ndjekur, sqarojnë burimet. Ato përfundojnë se vetëm pas kryerjes së këtyre verifikimeve, mund të konkludohet nëse ideologjia fetare ka ndikuar apo jo te Violeta, për ta çuar deri në vetëvrasje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›