E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asnjë fond për ndërtimin e apartamenteve për të pastrehët

GJIROKASTER – Bashkia e Gjirokastrës nuk ka fonde për të ndërtuar apartamente për familjet e pastreha. 

E ndodhur në këto rrethana nga ana e bashkisë për kategorinë e të pastrehëve mund të vihen në dispozicion vetëm troje. Lajmi konfirmohet nga përgjegjësi i Zyrës së Shërbimeve në Bashkinë e Gjirokastrës, Përparim Kore. Bëhet e ditur se në zyrën që ai drejton, afro 735 familje të kategorive të ndryshme rezultojnë të pastreha në qytetin e Gjirokastrës. Sipas Kores, rreth 186 familje të pastreha i përkasin kategorisë së parë, ndërsa 507 kategorisë së dytë, të cilat kërkojnë zgjidhje urgjente. Për përgjegjësin e zyrës së shërbimeve në bashki gjendja e të pastrehëve paraqitet mjaft kritike për faktin se, shumica e kësaj kategorie qëndrojnë ende në banesat e ish-pronarëve të vjetër. Ndërkaq, vazhdojnë aplikimet për fazën e parë, të cilat kapin shifrën e 180 familjeve, prej të cilëve 110 kanë dorëzuar edhe dokumentacionin përkatës. Nisur nga kjo situatë, janë dërguar pranë Ministrisë së Punëve Publike, kërkesat për ndërtimin e banesave sociale për tri llojet, banesa me qira, banesa me kosto të ulët, si dhe truall të pajisur me infrastrukture për ta ndërtuar vetë banesën, duke vënë në dispozicion sheshe ndërtimi të lira. Ndonëse Ministria e Punëve Publike nuk u është përgjigjur kërkesave zyrtare të Bashkisë së Gjirokastrës për lëvrimin e fondeve për ndërtimin e apartamenteve për familjet në fazën emergjente, vazhdon procesi i aplikimit të kërkesave, i cili do të vazhdojë derisa të fillojë ndërtimi i këtyre banesave. Bëhet e ditur se, për tre vitet e fundit nga ana e qeverisë nuk është lëvruar asnjë fond për ndërtimin e apartamenteve të pastreha për familjet gjirokastrite.                         p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›