E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhduket prej 8 ditësh emigranti

Zhduket pa gjurmë prej tetë ditësh emigranti 33-vjeçar. 

BERAT/ DILAVER XHELILI

Aziz Gjozi, banor i fshatit Goriçan, Komuna Kutalli, ka humbur çdo kontakt me familjarët, të cilët kanë denoncuar dje në polici humbjen e tij.
Emigranti Gjozi, me emrin e ndryshuar Hari Gjeza ishte kthyer 20 ditë më parë nga Greqia, aty ku punonte prej vitesh si emigrant ekonomik. Ai është futur në tokën shqiptare nga pika kufitare e Kakavijës së bashku me vajzën e tij 6-vjeçare. Të enjten e kaluar ai kishte shkuar në shtëpinë e vjehrrit të tij, por momentet e largimit ishin të fundit kur familjarët kanë të dhëna për të. Familjarët e tij në Berat kanë bërë denoncimin për humbjen e Gjozit, duke kërkuar ndihmën e policisë për lokalizimin e vendndodhjes. Sipas të afërmve, 33-vjeçari ishte kthyer me një gjendje jo të mirë emocionale nga Greqia, pasi në pikën kufitare i kishin bllokuar pasaportën. Ai ka mbërritur në banesën e prindërve të tij në fshatin Goriçan, ku dhe ka kaluar ditët e para pas kthimit nga emigrimi disa vjeçar. Të enjten e kaluar mësohet se kishte shkuar në banesën e të vjehrrit në fshatin Tapi, të Rrethit të Kuçovës. Sipas vjehrrit Sami Bërzhezha, Gjozi ka qëndruar vetëm një natë në banesën e tij dhe të nesërmen është larguar. Për herë të fundit Gjozi mësohet të jetë parë në qytezën e Urës Vajgurore, ndërsa më pas askush nuk di asgjë për fatin e tij. Familjarët fillimisht kanë menduar se, djali i tyre ndodhej tek të afërmit dhe miqtë e familjes, por pasi kanë kontaktuar dhe nuk kanë mësuar asgjë rreth fatit të djalit janë vënë në alarm. Ata kanë kontaktuar dhe me bashkëshorten e tij në Greqi, e cila i ka vënë në dijeni se burri i saj nuk e kishte marrë në telefon prej ditësh. Familjarët kanë pohuar për policinë se Gjozi ka pasur një sasi prej rreth 600 eurosh me vete dhe mund të ketë rënë pre e ndonjë grabitjeje. Ndërkohë, policia ka ngritur dhe pistën e një zgjedhjeje të vetë emigrantit për t’u zhdukur pa asnjë shenjë. Sipas të dhënave të para të siguruara nga familjarët, policia ka pohuar se 33-vjeçari kishte disa borxhe të vjetra të pashlyera në fshat, si edhe se kohët e fundit ai ka pasur probleme me bashkëshorten e tij. Policia e Beratit ka shpërndarë foto të Gjozit dhe është vënë në kërkim të tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›