E Diel, 1 Nëntor 2026

Shoqata e Gjyqtarëve: “Stop” sulmeve të Ministrisë mbi sistemin gjyqësor

TIRANE – Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve reagoi dje pas asaj që quajti “sulme të politikës mbi gjyqësorin”. 

Manjola Bejleri, kryetarja e njërës prej shoqatave të togave të zeza pohoi dje, nëpërmjet një deklarate se, gjente rastin të shprehte shqetësimin e gjyqtarëve në atë çfarë po ndodh kohët fundit midis ekzekutivit, në rastin konkret Ministrisë së Drejtësisë dhe gjyqësorit. “Vihet re një tendencë gjithnjë në rritje të ekzekutivit për të ndërhyrë në punët e gjyqësorit, kohët e fundit nëpërmjet administratës gjyqësore, duke e përdorur këtë të fundit në mënyrë të kundërligjshme në funksion të ekzekutivit”, pohoi Bejleri që me tej tha se, tashmë të gjithë janë të vetëdijshëm për nevojën dhe domosdoshmërinë e kryerjes së reformave ligjore në vend. Gjyqtarja Bejleri në deklaratën e saj kritikoi mënyrën që po ndjek Ministria e Drejtësisë për kryerjen e reformës. “Të bësh reformë nuk do të thotë që 2-3 profesionistë të ulen e të hartojnë një draft dhe disa të tjerë të diskutojnë për të. Draftet duhet të hartohen pas një debati publik me qëllim që t’i japin zgjidhje problemeve që rezultojnë nga ky debat dhe t’i hapin rrugën një perspektive zhvillimi progresiste”, pohoi më tej Bejleri. Në emër të shoqatës ajo sugjeroi se përsa i përket procesit të reformës, shprehte opinionin se ai nuk po kryhet në mënyrën e mirë të duhur, nuk ka informim dhe transparencë të publikut në lidhje me atë çfarë po bëhet, nuk ka përfshirje të grupeve të interesit, të profesionistëve apo subjekteve zbatues të ligjit objekt i reformës. Dhe e gjithë kjo ndodh, sepse mungon dëshira për ta bërë këtë proces siç duhet. Ndërkohë, në lidhje me shpejtësinë me të cilën po kryhet reforma ajo theksoi se, procesi i reformës po kryhet me një shpejtësi, e cila vë në dyshim zgjidhjet më të mira profesionale e ligjore. “Nuk mundet që pas justifikimit se ky proces reformimi duhet të kryhet shpejt për shkak të angazhimit të Shqipërisë në marrëveshjet ndërkombëtare, të lejojmë që të mos realizohet debati publik dhe të cenohet cilësia e ligjit. Duhet t’i themi “stop” kësaj mënyre të proceduari dhe të mos lejojmë të ndodhë ajo që ndodhi me ligjin “Për Gjyqësorin”, i cili u hartua dhe u miratua pa marrë as mendimin e gjyqtarëve”, përfundoi gjyqtarja Bejleri. fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›