Humb në biznes, vetëvaret pronari i supermaketit
Dashamir Biçaku
Vetëvaret në vilën e tij tregtari, një javë pasi kishte lënë aktivitetin si pasojë e falimentimit. Nexhmi Çullhaj, 37 vjeç, banues në Sauk, pranë regjimentit të Policisë Ushtarake, i ka dhënë fund jetës së tij, mesditën e djeshme duke u vetëvarur. Policia ende nuk ka mundur të zbardhë shkaqet dhe motivet që shtynë ish-tregtarin të marrë një vendim të tillë ekstrem, por dyshimet e tyre janë drejtuar tek humbja e biznesit, pasi ishte i vetmi burim i të ardhurave të tij bashkëshortes dhe dy fëmijëve. 37-vjeçari Çullhaj sipas burimeve të policisë njihej si konsumator mesatar i alkoolit dhe për të përcaktuar nëse ka qenë i pirë në momentin e vetëvarjes, policia ka marrë kampione të gjakut të tij, të cilat po tashmë janë dërguar në Laboratorin Qendror të Kriminalistikës në Ministrinë e Brendshme për t’u ekspertuar. Sipas burimeve të policisë, vetëvarja e tregtarit besohet se ka ndodhur rreth orës 12:00 të ditës së djeshme, kohë që prej së cilës ai ishte ndarë nga të afërmit.
Vetëflijimi
Tregtari Çullhaj mësohet se i ka dhënë fund jetës duke u vetëvarur në katin e tretë të një vile në ndërtim në pronësi të familjes. Kjo ka ndodhur vetëm pak ditë pasi biznesmeni kishte vendosur të tërhiqej nga aktiviteti tregtar. Viktima është gjetur nga e ëma e tij, Fite Çullhaj e cila rastësisht mësohet se ishte ngjitur atje rreth dy orë më vonë në 14:00. E moshuara ka nisur të ulërijë ndërsa aty në pak minuta janë mbledhur të afërm të familjes, për t’i dhënë ndihmën të afërmit të tyre. Për fatin e tij të keq, Çullhaj, kishte ndërruar jetë vetëm pak momente pas aktit të vetëvarjes. Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes, duke nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e saj. Nga këqyrja, blutë kanë vënë re se viktima kishte përdorur një litar, të cilin e kishte lidhur në trarët e shtëpisë së papërfunduar.
Hetimi
Nga deklarimet e marra prej hetuesve është mësuar se, viktima nuk kishte pasur konflikte familjare apo mosmarrëveshje. I vetmi, problem ishte fakti se, Çullhaj prej një jave rezultonte i pa punë, pasi ishte tërhequr nga tregtia që kishte kryer deri pak ditë më parë për shkak të mungesës së fitimit. Familjarët kanë pohuar se, Çullhaj ishte vetëpunësuar në një aktivitet të vogël tregtar në supermarketin te banesa e tij, por një javë më parë ishte detyruar të tërhiqej nga ky biznes, pasi nuk arrinte të nxirrte fitime. Mjekët ligjorë kanë konfirmuar vdekjen nga asfiksia mekanike, ndërsa duhet të konfirmojnë edhe sasinë e pranisë së alkoolit në gjakun e viktimës nëpërmjet kampioneve që kanë marrë. Kjo është ngjarja e dytë e kësaj natyre brenda javës, pasi të mërkurën një fëmijë 10 vjeç vari veten në Bathore pak kilometër në veri të kryeqytetit.