E Diel, 1 Nëntor 2026

Asnjë fond për shkollat e dëmtuara nga tërmeti

Bulqizë Ministria e Arsimit ka premtuar, por nuk po investon

Tërmeti i 6 shtatorit të vitit të kaluar, që tronditi Rrethin e Bulqizës dhe atë të Dibrës, veç banesave dëmtoi edhe disa shkolla të zonës. Të paktën katër godina shkollore, dy në Gjoricë, ku ishte epiqendra e tërmetit dhe nga një shkollë në komunat fqinje, Shupenzë dhe Zerqan, u dëmtuan nga dridhjet e tokës. Por ndërkohë që qeveria dëmshpërbleu banorët për banesat e dëmtuara, për shkollat nuk dha asnjë qindarkë. U tha se për shkollat do të investojë Ministria e Arsimit dhe Shkencës, pas verifikimeve të bëra nga specialistë të këtij dikasteri për vlerësimin e dëmeve. Shkolla 9-vjeçare në fshatin Lubolesh dhe ajo fillore në fshatin çerenec, të Komunës Gjoricë, si dhe ajo në fshatin Boçevë, të Komunës Shupenzë dhe shkolla 9-vjeçare në Strikçan të Komunës Zerqan, u cilësuan nga ekspertët e grupeve të verifikimit të qeverisë, si të pabanueshme për mësimin e nxënësve në to. Po i njëjti vlerësim u bë edhe nga specialistë të komunave përkatëse dhe Zyrës Arsimore Bulqizë. Por ndonëse këto katër shkolla u cilësuan si të pasigurta për nxënësit, pasi rrezikojnë shembjen, mësimi ka vijuar krejt normalisht gjatë vitit shkollor 2009-2010. Kjo për shkak të pamundësisë për të siguruar ambiente të tjera, qoftë edhe me qira. “Pasi e pamë se askush nuk po interesohej për sigurimin e ambienteve të sigurta për shkollimin e fëmijëve, u detyruam t’i dërgojmë ata në shkollat e dëmtuara, për të mos i lënë fare pa shkollë”, thonë banorët e këtyre fshatrave. Mësohet se deri më tani, për asnjërën nga këto shkolla nuk është çelur fondi i investimeve për rikonstruksion nga MASH.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›