Bllokimi i parave, njësitë vendore të Korçës kërcënojnë me padi
Buxhetet e disa njësive vendore në juglindje të vendit po mbahen peng për faturat e energjisë të ndërmarrjeve që nuk janë në varësi të tyre. Dega e Thesarit ka bllokuar buxhetet e Bashkisë së Maliqit dhe Komunave Libonik e Pojan, për faktin se në bazë të një udhëzimi nga Ministria e Financave, këto organe të pushtetit lokal duhet të derdhin një pjesë të lekëve për llogari të energjisë elektrike të ujësjellësve që nuk janë në varësi të tyre. Kjo situatë dhe bllokimi i buxheteve ka paralizuar punën në të paktën tri nga njësitë e qeverisjes vendore, për shkak se nuk mund të kryejnë asnjë veprim pa pasur në duar buxhetin dhe nuk mund të kryejnë asnjë ndërhyrje sipas planifikimit të granteve me zërat përkatës. Bëhet fjalë për një shumë prej të paktën 60 milionë lekësh, që tri njësitë ia kanë borxh OSSH-së, ndërkohë që sipas drejtuesve lokalë, këto para duhet të paguhen nga Ministria e Financave. “Organet tona të pushtetit lokal janë të bllokuara në buxhetet e tyre, pasi paratë janë të bllokuara nga dega e Thesarit, me urdhër të Ministrisë së Financave. Kjo ministri duhet të bëjë pagesën e subvencionit për energjinë elektrike për ndërmarrjet e ujësjellësve dhe tani do të marrë lekë nga buxhetet tona për të mbuluar deficitet e kësaj ndërmarrjeje, gjë që nuk është korrekte. Edhe pse kemi një buxhet të miratuar, ne nuk mund të kryejmë asnjë veprim, pasi duhet të paguajmë për llogari të një shoqërive anonime si ujësjellësi fshat me lekët e taksapaguesve dhe buxhetet e bashkive. I jemi drejtuar ministrisë për të zhbllokuar situatën, pasi në të kundërt do të marrim masa dhe do t’u bëjmë thirrje banorëve të mos paguajnë faturat e ujit”, thotë kryetari i Bashkisë së Maliqit, Gëzim Topçiu. Sipas kryetarëve të komunave, asnjë njësi vendore nuk e ka detyrim ligjor që të paguajë në bazë të numrit të popullsisë energjinë për ujësjellësit. Krerët e këtyre njësive kërcënojnë se do të padisin Ministrinë e Financave për bllokimin e buxheteve lokale. “Ne nuk kemi asnjë detyrim ligjor ndaj ujësjellësit fshat, për shkak se ai nuk menaxhohet nga pushteti lokal. Një udhëzim i Ministrisë së Financave përcakton që ky subvencion për pagesën e energjisë elektrike të paguhet nga ne dhe dega e Thesarit ka bërë bllokimin e parave tona”, thotë Vasillaq Cinoku, kryetari i Komunës së Pojanit. Ai shprehet se në rast se nuk zhbllokohet buxheti, çështja do të kalojë në gjykatë. Ndërsa kryetari i Komunës së Libonikut, Petrit Kupe, thotë se ministria është duke ia ngarkuar pushtetit vendor faturën e energjisë, sepse arka e shtetit gjendet në vështirësi.
#