E Diel, 1 Nëntor 2026

Asnjë i mbijetuar nën rrënoja, nxirren tri kufomat

Asnjë i mbijetuar nën rrënojat e pallatit të shembur në Gjirokastër. Ekipet e kërkimit dhe shpëtimit, që u angazhuan për dy ditë në operacionet për shpëtimin e të mbijetuarve dhe gjetjen e të humburve, nxorën dje nga rrënojat e pallatit trupat pa jetë të tri viktimave: Parashqevi Zoto, 63 vjeçe, Valbona Dalani, 40 vjeçe dhe Anxhela Dalani 12 vjeçe.

Ekipet e shpëtimit të përbëra nga trupat shqiptare dhe greke të zjarrfikëseve dhe të trupave speciale për fatkeqësi, mundën të dallojnë së pari, mes rrënojave, trupin e gruas së moshuar, që kishte humbur nën rrënojat e shembura në pjesën lindore të pallatit. Kërkimi në këtë anë të godinës së shembur u imponua për shkak të pozicionit të rrezikshëm që kishte gërmimi në krahun perëndimor të shembjes, pasi godina kishte rrëshqitur 10-12 metra në lindje dhe ishte zhytur 2-3 metra në thellësi të tokës. "Pozicioni i godinës, i anuar në anën lindore, na imponoi vazhdimin e operacioneve të shembjes dhe pastrimit me mjete të rënda në anën e sipërme, pasi çdo ndërhyrje në anën tjetër ishte me pasoja të rrezikshme për grupet e kërkimit", tha për "Shqip" shefi i Shërbimit të Zjarrfikëseve të Shqipërisë, Dilaver Laçi.

Pas gjetjes së trupit, që i përkiste 63-vjeçares Parashqevi Zoto dhe pas pastrimit të vendit, ku u zbulua trupi i saj, kërkimet janë spostuar në anën lindore, ku mendohej se ndodheshin trupat e gruas tjetër dhe vajzës së saj. Disa orë më pas, grupet mundën të dallojnë mes gërmadhave trupin pa jetë të 40-vjeçares Valbona Dalani, që, sipas të gjitha gjasave, në momentin e katastrofës ndodhej në ballkonin e shtëpisë së saj. Kërkimet kanë vazhduar dhe rreth orës 14:00 është bërë e mundur gjetja e trupi pa jetë të vogëlushes 12-vjeçare Anxhela Dalani. Sipas pjesëtarëve të grupit të shpëtimit, trupi i saj u gjet vetëm 5 metra larg nënës së saj e dëmtuar në kokë, ndërkohë që në dorë mbante një arushë pellushi.

Gjetja e trupave pa jetë është shoqëruar me dëshpërim nga familjarët e të afërmit e viktimave, të cilët asnjëherë nuk pranuan dhe besuan se të mbeturat nën rrënojat e incidentit kishin humbur jetën. Përreth 30 orë, që zgjatën operacionet e kërkimit, familjarët kanë qëndruar pa lëvizur nga territori i shtëpive të tyre të shembura. Ata kanë refuzuar gjatë natës së parë ofertat e përfaqësuesve të prefekturës dhe qarkut për t‘u strehuar në konvikte dhe hotele. Në radhët e familjarëve që prisnin me shpresë gjetjen gjallë të të afërmve të tyre ka shkaktuar tronditje të thellë çasti kur trupat e shpëtimit transportonin trupin e 12-vjeçares Anxhela Dalani me arushën e bardhë. Të tre trupat pa jetë u përcollën për në morgun e qytetit dhe pritet që nesër të zhvillohet ceremonia e varrimit të tyre.

Strehimi

Të mbijetuarit refuzojnë ofertën për të qëndruar në konvikt

Asnjë nga banorët e pallatit të shembur, në lagjen "11 Janari" të Gjirokastrës, nuk pranoi të strehohej në konviktin që autoritetet vendore vunë në dispozicion. Shumica e këtyre personave e kaluan natën jashtë, duke pritur me ankth rezultatet e operacionit të kërkimit dhe shpëtimit. Të tjerë u strehuan në shtëpitë e të afërmve të tyre në Gjirokastër. Burime nga Shtabi i Emergjencës, që u ngrit ditën e tragjedisë në Gjirokastër, thanë se të dielën pasdite u bënë gati ambientet e një konvikti, për strehimin e atyre që humbën shtëpitë. Por asnjëri prej të dëmtuarve nuk u paraqit në këtë konvikt. Shumica e personave, që humbën shtëpitë janë banorë të vjetër të Gjirokastrës dhe kanë në qytet shumë miq e të afërm, të cilët u kanë hapur dyert. Megjithatë, konvikti do të qëndrojë në dispozicion të tyre, pasi sistemimi i këtyre familjeve në shtëpi të reja mund të zgjasë dhe ata nuk mund të qëndrojnë për periudha të gjata te të afërmit. Burime nga Shtabi i Emergjencës thanë se shumë shpejt do të ngrihet një komision për vlerësimin e dëmit material që i është shkaktuar çdo familjeje, në mënyrë që procesi i dëmshpërblimit të mos zgjasë shumë në kohë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›