Tragjedia e Gjirokastrës alarmon banorët e një pallati në Vlorë
Shembja e pallatit pesëkatësh në Gjirokastër, alarmon Vlorën. Banorët e pallatit nr. 1149, në lagjen "29 Nëntori" të qytetit të Vlorës, të cilët prej katër vjetësh ankohen se pallati mund të shembet, kanë ngritur zërin fort dje, pasi kanë parë ç‘ndodhi në Gjirokastër. Pallati është katërkatësh dhe në të jetojnë dhjetë familje. Shkak për çarjen e pallatit është bërë një ndërtim i ri, i miratuar në vitin 2003, i cili është ndërtuar fare pranë pallatit ekzistues, ndërtim ky i vitit 1979. Pallati i ri tetëkatësh, ka bërë që në fillimet e punimeve të nisin çarjet në muret e pallatit katërkatësh. Me gjithë ankesat e vazhdueshme të banorëve të këtij pallati, ende nuk është dhënë një zgjidhje, e cila do të hiqte rrezikun e frikën nga këta banorë, të cilët çdo natë flenë me ankthin se të nesërmen gjithçka do të jetë shembur. Por, megjithëse banorët janë ankuar vazhdimisht, madje dy vjet më parë kanë organizuar edhe një protestë, ata tregojnë se kanë marrë vetëm fjalë të mira dhe asnjë zgjidhje. Kanë kaluar madje edhe në procese gjyqësore, të cilat më pas i kanë mbyllur, pasi janë bindur se nuk do ta gjenin të drejtën as në gjykatë. Vetëm dje, kur në Gjirokastër ndodhi katastrofa, kryetari i Bashkisë së Vlorës urdhëroi shqyrtimin me prioritet të ankesave të banorëve të pallatit nr. 1149. "Kam nisur një grup pune, i cili ka kontrolluar gjendjen në qytet dhe për fat të mirë nuk kemi asnjë pallat që të kanosë rrezikun e përsëritjes së tragjedisë së Gjirokastrës. Por ka qenë një rast që është pallati 1149, ose objekti tek ish-Gjallica", tha dje kryebashkiaku i Vlorës. Ai pranoi se banorët e këtij pallati janë ankuar në lidhje me një objekt që ndërtohej pranë këtij pallati. "Duhet të sqaroj se objekti që është ndërtuar aty pranë, lejen e ndërtimit e ka marrë më 23.06.2003, kohë kur unë nuk kam qenë në krye të Bashkisë së Vlorës", tha Gjika, duke shtuar se ai ka ngritur që në vitin 2005 një komision për inspektimin e pallatit dhe ka propozuar disa masa, që nuk janë miratuar nga Këshilli Bashkiak, por as nga qeveria, të cilës i është kërkuar fond i posaçëm.