E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komisioni i Ekonomisë, votë pro buxhetit 2009

Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi dje në parim projektbuxhetin e shtetit për vitin 2009. I pranishëm në komision ishte zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, ndërsa ministri Ridvan Bode ishte i pranishëm në Komisionin e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale. Sipas Shehut, projektbuxheti i shtetit 2009, përveçse garanton një stabilitet të qëndrueshëm makroekonomik në vend, jep dhe marzhe sigurie, duke qenë se përballemi me një vit ku në të gjithë botën ka krizë financiare. "Ky buxhet synon të konsolidojë më tej stabilitetin makroekonomik të vendit përtej zhvillimeve që ka pasur ekonomia botërore, ndërsa ne mbetemi një vend me një stabilitet të qëndrueshëm makroekonomik, për sa i takon rritjes ekonomike, nivelit të inflacionit, kursit të këmbimit, bilanceve të tjera që kanë të bëjnë me tregtinë ndërkombëtare dhe nivelit të papunësisë", theksoi zëvendësministri Shehu. Por opozita pretendon të kundërtën. Sipas deputetit të PS-së, Erjon Braçe, buxheti 2009 nuk parashikon asnjë masë për përballimin e krizës, ndërsa tek të ardhurat dhe shpenzimet reflekton ulje të tyre. Pavarësisht kësaj, zëvendësministri Shehu e ka vendosur theksin te dy reformat që priten të zbatohen gjatë vitit 2009. "Dy reformat në sektorin e arsimit dhe shëndetësisë janë thelbësore dhe lidhen me kalimin e fondeve nën administrimin e Institutit të Kujdesit Shëndetësor dhe Universiteteve", tha Shehu.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›