E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohet plani për parkun energjetik në tokën e Fazliç

Nën përkëdheljen e sedrës nga përfaqësuesi i Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjetikës, Stavri Dhima, se durrsakët janë popull i zgjuar (jo si vlonjatët), anëtarët e KRRT-së së Qarkut të Durrësit kanë miratuar thuajse njëzëri master-planin e parkut energjetik dhe industrial të Porto Romanos. Zonën energjetike dhe industriale të Porto Romanos do ta ndajë një i ashtuquajtur "Mur Berlini" me zonën fqinje, Gjirin e Lalëzit, një zonë në zhvillim për turizmin elitar. Muri nuk do të jetë tulla e llaç, po një brez i gjelbër, që do të synojë vendosjen e kufijve mes dy zonave ngjitur me njëra-tjetrën, po me destinacione që kundërshtojnë njëra-tjetrën. Nga 16 anëtarë të pranishëm në mbledhje, 15 prej tyre votuan për miratimin e master-planit, ndërsa arkitekti i njohur i qytetit turistik, Viktor Dhimgjini, u shpreh hapur kundër tij. Dhimgjini, duke u ndalur në ndikimet negative në mjedis të parkut, kërkoi që të fuqizohen rafineritë ekzistuese të Fierit dhe Ballshit, dhe jo të ngrihet një tjetër në Durrës. Miratimi i master-planit për Parkun Energjetik dhe Parkun Industrial të Porto Romanos në KRRT-në e Qarkut të Durrësit vjen pas miratimit të studimit "Zhvillimi i integruar (në sinergji) i zonës energjetike dhe industriale të Porto Romanos, infrastruktura dhe konturet e saj", bërë në prill të këtij viti nga Këshilli i Ministrave. Master-plani pranon se zona ka pesë pika të nxehta mjedisore dhe se në të janë planifikuar të ndërtohen një terminal i naftës bruto, një rafineri me kapacitet 3-5 milionë tonë në vit, një kompleks depozitash për lëndë kimike dhe vajra, një termocentral tjetër me kapacitet 300-800 MW, një impiant i përpunimit të bio-lëndëve djegëse, një tjetër impiant i gazifikimit të GLN-së etj. Pjesë e këtij master-plani është dhe Kompleksi Energjetik, që do të ndërtohet nga kompania italiane ENEL. Ky miratim, ashtu si dhe vendimi i Entit Rregullator të Energjisë (ERE) për linjën nënujore të interkonjeksionit, që do të transmetojë energjinë e prodhuar nga TEC-i në Durrës drejt Italisë, i hapin dritën jeshile ndërtimit të TEC-it dhe në tokat e blera nga boshnjaku Damir Fazliç. Zhvillimet e kohëve të fundit, çështja e tokës "Fazliç-Porto Romano" dhe kundërshtimet e forta që ka marrë projekti nga ambientalistë, ndonëse jo në mënyrë masive dhe të organizuara, u duk se hapën një dritë jeshile për të sprapsur realizimin e këtij projekti energjetik në veri të qytetit, po rutina e vendimeve vazhdon t‘i krijojë terren realizimit të Kompleksit të ENEL-it, si dhe objekteve të tjera energjetike dhe industriale, ndërkohë që flitet për zhvillimin turistik të zonës në veri të Durrësit. Strategjitë dhe politikat qeverisëse për këtë zonë duket se kundërshtojnë njëra-tjetrën, ndërsa opozita me takimet e saj në Durrës nuk i ka shprehur qëndrimet e veta mbi to. Ndërsa shpresohej se reagimi komunitar do të angazhonte strukturat qeveritare dhe ato lokale për të riparë vendimin dhe dëgjuar komunitetin dhe specialistët, Bordi i Komisionerëve të ERE-s vendosi në fund të nëntorit për linjën e interkonjeksionit 400 kV AC /500 kV DC që do të lidhë Porto Romanon dhe Casamassima-n, ndërsa dje KRRT-ja e qarkut miratoi Masterplanin e Parkut që përfshin një sipërfaqe prej 810 ha, që ndodhet 6 km larg qytetit dhe 7 km larg portit. E gjithë sipërfaqja është tokë bujqësore private, përfshirë dhe tokën e blerë nga kompania e Fazliç, megjithatë në asnjë rast nuk u është kërkuar mendim pronarëve për destinacionin e tokës së tyre. Madje, parashikohet që, në rast të mosmarrëveshjeve mes tyre dhe investitorit, shteti të ndërhyjë me shpronësime. Pas miratimit në Durrës, dokumentacioni do të kalojë në KRRTRSH. Në territorin prej 810 hektarësh ka nisur prej disa vitesh puna për ngritjen e terminalit të depozitave të karburanteve dhe pontilit përkatës. Aktualisht ka përfunduar pontili detar, infrastruktura e tubacioneve të gazit dhe karburante, si dhe godina ku do të vendosen autoritetet doganore dhe kufitare. Pyetjes se përse u zgjodh Durrësi që të shndërrohet në një vend TEC-esh dhe rafinerish, përfaqësuesi i ministrisë iu përgjigj me pozicionin e përshtatshëm të Durrësit si nyje lidhëse e transporteve dhe tepër të lakmuar nga investitorët. Duke qenë në fillesë të transportit detar dhe atij rrugor, që pritet të krijohet nga korridoret rajonale, që kalojnë nëpër Ballkan, komuniteti i Durrësit është vlerësuar të ketë "shansin" e të priturit të këtij bumi investimesh në energji dhe industri, të cilat nuk dihet nëse të paktën do ta nxjerrin qytetin dhe vendin nga terri që prodhojnë kufizimet energjetike në dimër dhe në verë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›